image Vdekjet dhe rastet me Omicron, Raka tregon se ku qëndron Kosova në raport me shtetet tjera

Shëndetësi

Vdekjet dhe rastet me Omicron, Raka tregon se ku qëndron Kosova në raport me shtetet tjera

news image

Mikrobiologu, Lul Raka është deklaruar rreth situatës epidemiologjike në Kosovë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se varianti Omicron i cili ka shënuar rritje masive në vend dhe botë, mund të shmangë pjesërisht veprimin mbrojtës të antitrupave, të krijuar nga vaksinimi.

Duke iu referuar raporteve të fundit të Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC), Raka thotë se Kosova ka shkallën më të ulët të vdekjeve në 1 milion banorë.

“Në raportin e fundit të ECDC (European Center for Disease Control), që përfshin periudhën kohore 10-23 Janar 2022, Kosova ka incidencë prej 1157 rasteve në 100.000 banorë. Nga shtetet e rajonit, Shqipëria ka 997 raste, Maqedonia 1099, Serbia 2805 e Mali i Zi 3798. Gjatë kësaj periudhe shkallën më të ulët të vdekjeve në 1 milionë banorë e kanë Kosova (5.01) dhe Gjermania (5.13). Shtetet e rajonit kanë këtë shkallë vdekshmërie në 1 milionë banorë: Shqipëria 23, Serbia 52, Maqedonia 89, Mali i Zi 132 dhe Bosnja 146. Në Evropë, prinë Bullgaria me 161 vdekje/1 milion banorë”, ka shkruar Raka.

Tutje infektologu bën të ditur se infeksionet me Omicron kanë pasqyrë më të lehtë klinike, pasi që virusi lokalizohet kryesisht në rrugët e sipërme të frymëmarrjes.

“Shkalla e shtrimit në spital dhe vdekshmëria janë më të ulëta sesa në valët e mëparshme pandemike. Një rol të rëndësishëm këtu ka luajtur edhe vaksinimi. Por, përhapja masive në komunitet ka shkaktuar mbingarkesë të konsiderueshme në sistemin shëndetësor dhe në kategoritë e tjera esenciale të shoqërisë për shkak të mungesave masive në punë dhe mësim”, ka deklaruar Raka.

Raka ka komentuar edhe masat kufizuese, për të cilat thotë se varen nga numri i rasteve, hospitalizimet, vdekjet dhe shkalla e vaksinimit.

“Masat kufizuese varen nga faktorët shëndetësorë (numri i rasteve, spitalizimet, vdekjet, shkalla e vaksinimit), ekonomia, kapaciteti i shtetit për subvencione, shëndeti mental dhe të drejtat e njeriut. Balansimi i gjithë këtyre faktorëve është i vështirë dhe nuk është i njëjtë askund. Vendimet duhet të merren duke u bazuar në të dhënat epidemiologjike në kohë reale”, ka shkruar Raka.

Mikrobiologu deklaron se personat e pavaksinuar, apo ata pjesërisht të vaksinuar, kanë rrezik më të lartë për sëmundje të rëndë dhe hospitalizim.

“Personat e pavaksinuar ose pjesërisht të vaksinuar kanë rrezik më të lartë për sëmundje të rëndë dhe spitalizim. Prandaj, vaksinimi mbetet një komponent kyç për të ulur ndikimin e Omicronit. ZBATONI MASAT PARANDALUESE- mos humbni kohë duke e kërkuar fajtorin kujdestar për gjendjen e sotme, sepse atë mund ta gjesh kudo, duke filluar prej vetes tënde e deri te Paria e vendit. Fuqizoni INSPEKTIMET e zbatimit të masave parandaluese dhe vendimeve në terren bashkë me KOMUNAT”, ka shkruar Raka në Facebook.

/GazetaSinjali/