image Gazeta kroate: Tronditje në Kosovë pas deklaratës së Millanoviqit

Politikë

Gazeta kroate: Tronditje në Kosovë pas deklaratës së Millanoviqit

news image

Gazeta kroate, Veçernji List, ka shkruar sot për reagimet e ashpra ndaj deklaratës së Zoran Millanoviqit, presidentit të Kroacisë, kundër Kosovës.

Sipas shkrimit të të përditshmes kroate, “Kosova është tronditur nga deklarata e Millanoviqit”, i cili tha dje se “ne bashkë me bashkësinë ndërkombëtare aneksuam Kosovën nga Serbia”.

Siç shkruan Veçernji List, i vetmi që ka komentuar deklaratën e presidentit Zoran Millanoviq është ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe aktualisht nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Deklarata e presidentit kroat është e pakuptimtë dhe duhet refuzuar si e tillë sepse shtrembëron shumë të vërteta historike dhe politike. Kjo deklaratë është më shumë e ngjashme me gjuhën e Akademisë Serbe apo të Kishës Ortodokse Serbe sesa me deklaratën e presidentit të një shteti mik të Kosovës si Kroacia”, tha Hoxhaj në një deklaratë për Veçernji List.

“Prandaj kjo deklaratë bie ndesh me realitetin historik të Ballkanit që përfaqësojnë dy vendet tona, Kroacia dhe Kosova, pra ndajnë të njëjtin fat që nga shpërbërja e Jugosllavisë e deri te lufta e përgjakshme me Serbinë e Millosheviqit. Kosova është shtet i pavarur dhe prandaj është realitet i pakthyeshëm i njohur nga të gjitha shtetet demokratike të botës”, ka thënë Enver Hoxhaj.

Ndaj kësaj deklarate të Millanoviqit, kanë reaguar edhe Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thuhet se historikisht Kosova nuk mund të jetë territor i vjedhur nga Serbia sepse territori i Kosovës më parë i ishte marrë Shqipërisë.

/GazetaSinjali/