image Miratohet Deklarata për të Zhdukurit dhe paraqitet draft-statuti për Asociacionin

Politikë

Miratohet Deklarata për të Zhdukurit dhe paraqitet draft-statuti për Asociacionin

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë, gjatë një takimi në Bruksel.

Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, që po kryeson takimin Kurti-Vuçiq, tha se BE-ja e mirëpret miratimin e kësaj deklarate dhe pret që “palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur”

“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve”, tha, mes tjerash, Borrell.

Miratimi i kësaj deklarate ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë Kurti dhe Vuçiq në Bruksel.

Pika e dytë ka të bëjë me procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ekipi Menaxhues – i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb – përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë – paraqiti draft-statutin për formimin e këtij asociacioni.

Danijella Vujiçiq, nga ky ekip, tha se hartimi i draftit ka zgjatur katër muaj – nga prilli 2018 deri në gusht 2018.

“Sot, pas pesë vjetësh, patëm rastin ta prezantojmë draftin e përfunduar në vitin 2018”, u tha Vujiçiq gazetarëve.

Çfarë dihet për Ekipin Menaxhues?

Pasi Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe dy vjet më vonë kanë rënë dakord për parimet e formimit të tij, Ministria e Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale e Qeverisë së Kosovës ka emëruar Ekipin Menaxhues në vitin 2016.

Në atë kohë, në krye të kësaj ministrie ishte Lubomir Mariq nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit. Sot, ai është deputet i Kuvendit të Serbisë nga Partia Përparimtare Serbe.

Mariq, i cili ishte koordinator i Ekipit Menaxhues, caktoi katër persona për të shkruar statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe: Igor Kallamar, Dejan Radojkoviq, Vinko Radosavleviq dhe Svetisllav Durlleviq.

Kallamar dhe Radojkoviq janë nga Mitrovica e Veriut, ndërsa Radosavleviq dhe Durlleviq janë nga komunat në jug të Lumit Ibër. REL-i ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse anëtarët e Ekipit Menaxhues kanë ndryshuar, por nuk ka marrë përgjigje. Po ashtu, nuk dihet nëse Ekipi Menaxhues ka hartuar statut të ri.

/GazetaSinjali/