Më 17 gusht të këtij viti, asambleistja e VV-së në komunën e Vitisë, Liridona Bislimi kishte shpallur kandidaturën për kryetare të Vetëvendosjes në Viti, ndërsa sot është tërhequr nga gara.
Në një njoftim të shkurtër, Bislimi nëpërmjet rrjetit Facebook, nuk ka dhënë ndonjë arsye për tërheqjen e kandidaturës së saj, por ka thënë se do të vazhdojë të jetë aktive në asamble dhe të shtyjë përpara politikat e Vetëvendosjes.
“Të nderuar aktivistë e aktiviste! Unë Liridona Bislimi, jap dorëheqje nga gara e GVV-së si dhe të qenurit anëtare e Grupit Punues, Qendra në Viti! Unë do të vazhdoj të jem aktive pranë asamblesë komunale në Viti, dhe do ti shtyj përpara politikat e Lëvizjes Vetëvendosje!, ashtu siç kam bërë deri më tani”, ka shkruar ajo.
Më 17 gusht, Bislimi kishte shkruar se kandidatura e saj vjen pas aktivitetit shumëvjeçar në parti.