“Sky Sport Italia” pretendon se Roma është afër të sigurojë Rui Patricion nga Wolves për 10 milionë euro plus bonuse, ndërsa Arsenali refuzoi propozimin e tyre të fundit për Granit Xhakën.
“Giallorossi” janë duke punuar në rindërtimin e skuadrës nën trajnerin e tyre të ri, Jose Mourinho, i cili ka kërkuar disa lojtarë nga Premier Liga.
Sipas raporteve të fundit nga Italia, një marrëveshje me Wolverhamptonin është afër për portierin e Portugalisë, Rui Patricio.
Kjo marrëveshje do të bëhet për rreth 10 milionë euro plus shtesa për 33-vjeçarin, i cili la përshtypje të mira në Euro 2020 me Portugalinë.
Sa i përket mesfushorit të Zvicrës, Xhaka, Arsenali përsëri e ka hedhur poshtë propozimin e fundit, që thuhet të jetë 12 milionë euro plus 3 milionë në formën e bonuseve të lidhura me performancën e lojtarit.
Negociatat po vazhdojnë dhe të gjitha palët janë të bindura se do të arrijnë një marrëveshje relativisht shpejt./Gazeta Sinjali Sporti/