image Arsenali synon të sigurojë vendin e parë para Krishtlindjeve

Futboll

Arsenali synon të sigurojë vendin e parë para Krishtlindjeve

news image

Arsenali do të zhvillojë sonte ndeshjen e fundit përpara pauzës së Botërorit.

‘Topçinjtë’ synojnë të ruajnë pozitën e parë, që do të nënkuptonte se ata do të ishin liderë të tabelës para Krishtlindjeve.

Sidoqoftë, ky mund të mos jetë një lajm edhe aq i këndshëm për londinezët, pasi secilën nga pesë herët e fundit kur ‘Gunners’ ishin në vend të parë para Krishtlindjeve, ata nuk e kishin fituar titullin në fund (1951-52, 1986-87, 1989-90, 2002-03 dhe 2007-08).

Londinezët do ta vizitojnë skuadrën e Wolverhampton sonte me fillim nga ora 20:45.

Teksa Arsenali është lider me 34 pikë të mbledhura pas 13 xhirove, Wolves ndodhet në pozitë krejt të kundërt, ku rangohet në pozitën e parafundit në tabelë, me më së paku pikë të mbledhura – së bashku me Nottingham Forest, me nga 10.

Pas formës aspak të mirë, ‘Ujqërit’ kanë reaguar duke emëruar trajner të ri, i cili është trajneri i njohur i cili kishte menaxhuar Real Madridin dhe së fundi Sevillan, Julen Lopetegui.

Sidoqoftë, tekniku spanjoll nuk do të jetë në gjendje të debutojë sonte, dhe se drejtimin do ta marrë zyrtarisht të hënën.

‘Ujqërit’ kanë fituar vetëm dy nga 21 ndeshjet e fundit në Premier League, të dyja të ardhura në Molineux, të fituara ndaj Nottingham Forest dhe Southampton.

Ndërkohë Arsenali ka startin më të mirë të klubit ndonjëherë në ligë pas 13 xhirove të para, me 11 fitore, 1 barazim e 1 humbje.

Londinezët gjithashtu janë skuadra e vetme që kanë shënuar në çdo ndeshje deri më tani në Premier League këtë edicion si dhe kanë rekordin më të mirë defanziv, duke pranuar më së paku gola (11 – nivel me Newcastlen).

/GazetaSinjaliSport/