image Varhelyi: Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog të sigurohet liria e lëvizjes pa vonesë

Politikë

Varhelyi: Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog të sigurohet liria e lëvizjes pa vonesë

news image

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e reciprocitetit për targat e automjeteve me Serbinë, ka reaguar përmes një postimi, shkruan Gazeta Sinjali.

Varhelyi, ka folur për situatën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ka thënë se është imperativ të ushtrohet përmbajtje dhe të zvogëlohen tensionet, të kthehet në dialog dhe të sigurohet liria e lëvizjes pa vonesë.

“Veprimet e njëanshme kurrë nuk janë zgjidhje. Ato çojnë vetëm në tensione të panevojshme dhe duhet të tërhiqen”, ka shkruar Varhelyi në Twitter.

Reagime pas aplikimit të reciprocitetit nga ana e Qeverisë së Kosovës në lidhje me targat e automjeteve të Serbisë, ka pasur edhe nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka thënë se BE-ja po vazhdon të monitorojë situatën në teren.

Stano ka bërë thirrje që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe menjëherë të zvogëlojnë tensionet.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur sërish për vendimin e reciprocitetit me Serbinë për targrat e automjeteve.

Kurti falënderoi MPB-në dhe Policinë e Kosovës për punën e tyre gjatë këtyre ditëve./GazetaSinjali/