Valon Behrami ka pranuar se në mendjen e tij kurrë nuk kishte menduar ta përfaqësojë Kosovën, madje ka nënvizuar se ndihet krenar që i ka dhënë gjithçka Zvicrës, vendit që e pranoi si refugjat, transmeton Sinjali Sport.
Mesfushori i Genoas së Italisë e përfaqësoi Zvicrën në 83 ndeshje ndërkombëtare para se ta humbiste vendin në kombëtaren helvetike në mënyrë zhgënjyese.
Behrami, bashkë me shqiptarët tjerë si Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, e kishin mundësinë për ta zgjedhur ta përfaqësojnë Kosovën në vitin 2016 kur përfaqësuesja verdhekaltër u pranua në FIFA dhe UEFA, por ata zgjodhën të vazhdojë ta veshin fanellën e Zvicrës.
Duke folur për gazetën zvicerane “NZZ am Sonntag l”, Behrami tha: “Ju e dini si kam mbërritur në Zvicër. Me asgjë. Nuk ka qenë e lehtë për mua si shqiptar. Jam krenar që kam dëshmuar se bëj gjithçka për Zvicrën”.
Në lidhje me Kosovën, 36-vjeçari shtoi: “Unë kurrë nuk e kam konsideruar të luaj për Kosovën, as kur u bë e mundur. Ka qenë shumë e qartë për mua se do t’i jepja gjithçka Zvicrës”.
Mitrovicasi shkoi në Zvicër si refugjat dhe u rrit në Ticino.
Ai i ka bërë 83 paraqitje për Zvicrën dhe ka marrë pjesë katër herë në Kupën e Botës me të, përfshirë në vitin 2018 në Rusi.
Pas botërorit të 2018-es, trajneri boshnjak Vladimir Petkovic e përjashtoi mitrovicasin nga planet e tij për kualifikime për “Euro 2020”, vendim të cilin Behrami e kishte quajtur politik. /Gazeta Sinjali Sporti/