Ish-kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka thënë se Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mund të rrëzohet.
Krejt kjo varet nga përgjigja që ish-kandidati për deputet nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha po e pret nga Gjykata Kushtetuese në ankesën me pretendime se i janë shkelur te drejtat gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.
Sipas Dakës, Kur një autoritet shteti merr detyrën e përcaktuar në Kushtetutë dhe deputetët të cilët kanë votuar nuk kanë legalitet dhe legjitimitet të plotë, atëherë detyra e tyre është e përkohshme.
“Nëse rastin konkret, kandidati për deputet e fiton, presidentja e shtetit duhet të jap dorëheqje”
“Ne kemi pasur tashmë një situatë të tillë, apo pak a shumë të ngjashme me këtë, rasti i ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe besoj që kjo situatë do të ishte bukur shumë e ngjashme edhe me atë situatë dhe me siguri që atëherë presidentja aktuale do të duhej të shkonte në rivotim apo konkretisht do ta humbte mandatin e presidentes sepse nuk do të ishte sigurt a i kishte ato vota të cilat i ka marrë kur është votuar para dy viteve, dhe pastaj do të duhej të shkohej në rivotim”, ka deklaruar Valdete Daka, ish-kryetare e KQZ-së.
Gjykata Kushtetuese që dy vite ka në trajtim një lëndë të paraqitur nga kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha. Ai shprehet i shqetësuar që gjatë kësaj periudhe nuk ka akoma një vendim në pretendimet se i janë shkelur të drejtat gjatë kandidimit për deputet më 2021.
Tash e dy vjet, ish-kandidati për deputet nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha pret përgjigje nga Gjykata Kushtetuese në ankesën me pretendime se i janë shkelur te drejtat gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.
Berisha pretendon se në këtë proces, për shkak të orkestrimit të votave, kandidatët e “Iniciativës Rome” janë zgjedhur deputetë në mënyrë të kundërligjshme, kurse ai ka mbetur jashtë Kuvendit.
Por, Berisha nuk i ka të qarta arsyet e zvarritjes së vendimit nga Kushtetuesja.
“Nuk mendoj që ka pasur ndonjë arsye të madhe për faktin se çështja ka qenë shumë e lehtë për tu gjykuar, thjeshtë me u konstatu Gjykata Supreme a ka ba shkelje kushtetuese në momentin që ka marrë vendimin në atë kohë për orkestrim të votave, për faktin që ndryshe ka vendosur për ne, ndryshe ka vendosur për krejt të tjerët. Përveç ne që jemi dëmtuar prej atij vendimi, të tjerëve u është konfirmuar ajo çka kanë pretenduar”, ka deklaruar ai.
Kushtetuesja, që po e trajton këtë lëndë nga 2021-ta, thotë se është duke e trajtuar me seriozitet të lartë këtë lëndë, por që nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast.
“Gjykata i trajton të gjitha kërkesat në bazë të procedurave standarde të parashikuara për shqyrtimin e tyre dhe kohëzgjatja e vendimmarrjes në kërkesat e parashtruara nuk varet detyrimisht nga koha e regjistrimit të tyre, por nga kompleksiteti i çështjes që mund të ngërthejë një rast konkret. Si çdo kërkesë individuale”.
Nëse Berisha fiton rastin në Kushtetuese, ai pretendon se një deputet nga komunitetet joserb do ta humb mandatin.
Një precedent i ngjashëm kur një deputet ka humbur pozitën gjatë mandatit, është ai i Ethem Arifit.
Megjithëkëtë, në rastin e tij vota ka qenë përcaktuese për zgjedhjen e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, çka kishte çuar në shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Në rastin aktual të ngritur para Gjykatës nga Berisha, deputetët mandati i të cilëve kontestohet gjithashtu kanë marr pjesë në votime të rëndësishme sikur të Qeverisë dhe zgjedhjes së Presidentes, por dallimi tani është se ato nuk janë vota përcaktuese në asnjërin rast.
Pavarësisht kësaj, njohës të çështjeve ligjore ngritin pikëpyetje se mund të ketë implikime në legjitimitet të këtyre votave.
“Kur një autoritet shteti merr detyrën e përcaktuar në Kushtetutë dhe deputetët të cilët kanë votuar nuk kanë legalitet dhe legjitimitet të plotë, atëherë detyra e tyre është e përkohshme. Nëse rastin konkret, kandidati për deputet e fiton, presidentja e shtetit duhet të jap dorëheqje”, ka thënë Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Kushtetueses.
Vjosa Osmani është zgjedhur Presidente në rundin e tretë të votimit me 71 vota për, derisa në votim kanë marrë pjesë 82 deputetë./Dukagjini