image Valdete Daka thotë se gjithçka është gati për zgjedhjet e 6 tetorit

Kosovë

KQZ/ Valdete Daka thotë se gjithçka është gati për zgjedhjet e 6 tetorit

news image

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se institucioni që ajo drejton i ka kryer të gjitha obligimet për ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do të mbahen me 6 tetor.

Ajo ka thënë se gjithçka është gati dhe se shpreson që zgjedhjet të shkojnë ashtu siç janë planifikuar. Ka thënë se përkundër afatit të shkurtër kohor, KQZ është bërë gati për zgjedhje.

“KQZ tashmë është gati për ditën e 6 tetorit. Shpresoj se edhe ajo ditë do të shkojë siç kemi planifikuar. Si KQZ ne kemi organizuar vetëm zgjedhje të parakohshme, asnjëherë nuk kemi organizuar zgjedhje të rregullta”.

“Zgjedhjet janë sfiduese që të organizohen në afate të shkurta. Mjafton  një kiks i vogël dhe i gjithë procesi del nga dora, por tash për tash jemi mirë”, ka thënë Daka në Klan Kosova.

Sa i përket listave zgjedhore, Daka ka theksuar se si komision nuk kanë shumë kompetenca që të bëjnë diçka në to jashtë proceseve zgjedhore.

“Janë hequr një numër i madh i personave të vdekur. Kjo bëhet temë në të gjitha zgjedhjet. Numërimi i popullsisë në vitin 2011 ka treguar se janë rreth 1.7 milionë banorë rezidentë. Me regjistrimin e popullsisë nuk është regjistruar diaspora. Ata nuk janë regjistruar, por janë votues.

“Është e vërtetë që regjistrohen një numër i madh i tyre por deri në ditën kur kanë të drejtë t’i dërgojnë fletëvotimet nuk ka një numër të madh. Kjo ndoshta ndodh për shkak të procedurave të komplikuara, të procedurës së kushtueshme, por ndoshta edhe nuk janë aq të interesuar për këtë proces. Ka qytetarë që jetojnë jashtë 20-30 vjet dhe interesimi për t’i zgjedhur përfaqësuesit në Kuvend bie”, ka deklaruar Daka./Gazeta Sinjali/