image Vaksinimi kundër gripit sezonal do të fillojë në shtëpinë e të moshuarve

Shëndetësi

Vaksinimi kundër gripit sezonal do të fillojë në shtëpinë e të moshuarve

news image

Me rastin e Ditës Botërore për të Moshuarit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, si dhe drejtorin e Institutit Kombëtar, Naser Ramadani, kanë vizituar Shtëpinë për Persona të Moshuar pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se ministria që drejton e ka në plan vaksinimin e qytetarëve të Kosovës, por së pari do të fillohet nga shtëpia e pleqve.

“Si ministër i Shëndetësisë, në planet tona për përkujdesje shëndetësore, është vaksinimi i qytetarëve të Kosovës kundër gripit. Shumë shpejt, do të fillojmë pikërisht nga shtëpia e të moshuarve, do ta bëjmë vaksinimin e të gjithë juve dhe qytetarëve të tjerë”, ka thënë Zemaj.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, Naser Ramadani ka thënë do të fillojë ritestimi për të moshuar dhe nuk do të mbetët asnjë i moshuar i pavaksinuar.

“Ju jeni kategori e veçantë për neve, me një përkushtim të veçantë duke pasur shëndet me të ndjeshëm dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë, sepse do ta bëjmë të pamundurën që prapë të mbeteni nën mbikëqyrje të përhershme. Qysh prej nesër, ne do të rifillojmë edhe njëherë ritestimin, të shohim gjendjen se ku jemi tash, pas disa muajve që iu kemi testuar dhe iu kemi mbikëqyrë, do të vazhdojmë më këtë”, ka thënë Ramadani.

Edhe Ramadani ka thënë se posa të vijnë vaksinat kundër gripit, së pari do të jepen për të moshuarit, sepse duke marrë parasysh shëndetin e ndjeshëm do t’i mbrojë nga gripi sezonal. /Gazeta Sinjali/