image USAID: Kryetarja e Gjykatës Themelore, shembull i suksesit për luftimin e krimit

Kosovë

Drejtësi/ USAID: Kryetarja e Gjykatës Themelore, shembull i suksesit për luftimin e krimit

news image

Agjencia e Shteteve të Bashkura të Amerikës për Zhvillim ndërkombëtar (USAID) ka vlerësuar punën dhe angazhimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi për forcimin e sistemit të drejtësisë në vend.

Kjo agjenci, përmes një video promovuese, ka theksuar se nën menaxhimin e saj, Gjykata Themelore ka rritur transparencën dhe efikasitetin në zgjidhjen e lëndëve të grumbulluara prej vitesh në Kosovë.

“USAID-i ndihet krenar të mbështes gjyqtarë si Afërdita Bytyçi që po përmirësojnë efikasitetin dhe transaparencën e gjykatave në vendin e tyre”, thuhet në video mesazhin e publikuar.

Gjykata Themelore është e stërngarkuar me numër të lëndëve të vjetra të cilat janë trashëguar vit pas viti, gjë e cila vazhdon t`i dëmtojë qytetarët që kanë kërkuar drejtësi në zgjidhjen e kontesteve të ndryshme.

Për të reduktuar numrin e lëndëve të vjetra, USAID-i ka ndihmuar Gjykatën Themelore me angazhimin e zyrtarëve ligjorë që këto raste të procedohen brenda afateve të arsyeshme kohore. Ndihmë të madhe në këtë drejtim sipas USAID-it ka dhënë udhëheqësia e Gjykatës Themelore.

“Nën udhëheqjen e Afërdita Bytyçit, gjyqtarët shkurtuan rastet e tyre për 30% në dy vitet e fundit.”, thuhet në videon e sponsorisuar nga USAID.

Lidhur me këtë cështje, vetë kryetarja e Gjykatës thekson se prolongimi i zgjidhjes së lëndëve përbën në vete padrejtësi ndaj qytetarëve duke u zotuar se do të vazhdojë ta adresojë këtë cështje.

“Nëse kemi zvarritje të zgjidhjes së rasteve të adresuara në Gjykatë atëherë ne kemi shkelë të drejtat e qytetarëve.”, thekson Bytyçi e cila shton se në kuadër të angazhimit të saj ka hapur dyert e Gjykatës duke rritur transparencën me qëllim të fitimit të besimit të publikut.

Afërdita Bytyçi ishte e vetmja femër garuese për tu bërë kryetare e gjykatës. Ajo kishte mposhtur 5 gjyqtarë meshkuj në garën për të parën e Gjykatës Themelore në Prishtinë duke treguar sukses përkundër skepticizmit se nuk do të mund t`ia dilte në këtë pozitë.

 Ajo i inkurajon vajzat e reja që të studiojnë drejtësi që në të ardhmen të bëhën gjyqtare pasi sipas Bytyçit të ndash drejtësi është nder i madh.

“Roli i sistemit të drejtësisë në demokraci është i madh sepse vetëm kur kemi një system efikas  mund të themei se kemi  edhe një sistem demokratik”, thekson Bytyçi.

Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, USAID ka punuar me qeverinë për forcimin e rendit dhe ligjit dhe drejtësisë.

Në vijim është videoja e plotë e USAID-it, ku promovohet puna dhe angazhimi i kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Gazeta Sinjali/