image Urdhri ekzekutiv i presidentit Biden për Ballkanin Perëndimor e distancimi i BE-së

Politikë

Urdhri ekzekutiv i presidentit Biden për Ballkanin Perëndimor e distancimi i BE-së

news image

Urdhri ekzekutiv i presidentit amerikan, Joe Biden, është një sinjal për prani më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor, tha dje për Rel, ish-ambasadori i Kosovës në SHBA dhe Turqi, Avni Spahiu.

Përmes këtij urdhri, parashihet që t’u bllokohet prona dhe t’u pezullohet hyrja në SHBA të gjithë atyre që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.

Ku urdhër i Biden është përtërirë nga urdhri i vitit 2001, i lëshuar nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në Ballkan, që parashikonte sanksione në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, shkeljen e Marrëveshjeve të Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuar për Kosovën.

Urdhrit të ri i është shtuar edhe shteti i Shqipërisë, lufta ndaj korrupsionit si dhe Marrëveshja e Prespës e vitit 2018 për zgjidhjen e kontestit të emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, dje ka sqaruar në Facebook se disa marrëveshje dhe dokumente nuk janë përfshirë në këtë urdhër ekzekutiv, siç është dokumenti i finlandezit, Martti Ahtisari, nga i cili është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ky dekret ka nxitur reagime të shumta përreth botës, e nuk ka munguar as ai i Bashkimit Evropian, i cili u shpreh se nuk do ta ndjekin shembullin e SHBA-së për të zbatuar sanksione, shkruan Gazeta Sinjali.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se BE ka detyrimet e saj ndaj partnerëve në rajon dhe se sanksionet nuk janë pjesë e politikave aktuale evropiane në Ballkanin Perëndimor.

I pyetur nga mediat në Bruksel për të komentuar mbi nënshkrimin e Biden për dekretin e zgjatjes së sanksioneve të SHBA ndaj individëve dhe organizatave nga Ballkani Perëndimor, në mënyrë që të sigurojë stabilitetin dhe sigurinë në rajon, Stano tha sot se BE nuk komenton mbi vendimet e administratës amerikane dhe ka politikën e saj kur bëhet fjalë për partnerët në Ballkanin Perëndimor.

Ai përmendi se angazhimi ndaj rajonit është një nga pikat themelore të agjendës së BE, si dhe se bisedimet e rregullta zhvillohen me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor mbi problemet e rajonit.

Muajin e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit ia ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë.

Sipas njoftimit, ky ndalim është bërë për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të martën, më 15 qershor, ku është paraparë të mbahet takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Urdhri fillestar ekzekutiv i vitit 2001 nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në Ballkan, parashikonte sanksione në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, shkeljen e Marrëveshjeve të Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën.

Presidenti aktual amerikan, Joe Biden e ka ripërtërirë dhe aty parashihen edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

“Urdhri zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë e ka shpallur luftën kundër korrupsionit si një përparësi themelore të interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Por nga Qeveria e Kosovës e Presidenca ende nuk ka pasur ndonjë reagim lidhur me këtë urdhër.

/GazetaSinjali/