image “Unë jam për zemër, por vendosi stenta edhe në qafë”, thotë mjeku i Spitalit Amerikan me të kaluar kriminale

Kosovë

Skandali/ “Unë jam për zemër, por vendosi stenta edhe në qafë”, thotë mjeku i Spitalit Amerikan me të kaluar kriminale

news image

Më 23 maj 2019, pacientit S.N. nga Peja, iu vendos një stentë në zemër nga mjekët e Spitalit Amerikan, përkundër se kishte pësuar infarkt në tru, si pasojë e bllokimit të arterieve të qafës (karotideve).

Sipas familjarëve, pas ndërhyrjes, gjendja shëndetësore e babait të tyre vetëm sa u përkeqësua, ndërsa për pasojë operacioni për hapjen e arterieve të qafës nuk u krye fare në Spitalin Amerikan, pasi pacienti pësoi sulmin tjetër në tru sapo doli nga ky institucion, me insistimin e mjekëve.

Gazeta Sinjali, dje solli rrëfimin në kronologji të ngjarjes nga familjarët, ndërsa sot përmes dokumenteve e audioincizimeve ndriçon bisedat dhe vendimet e mjekëve që shpërfaqin, mashtrimin papërgjegjësinë dhe trajtimin e pandërgjegjshëm mjekësor që çoi buzë vdekjes pacientin nga Peja.

DOKUMENTET E LËSHUARA NGA SPITALI, MUNGON RAPORTI MJEKËSOR I KARDIOLOGUT

Familja Nimani, sot e asaj dite, nuk e ka të qartë pse është bërë ndërhyrja në zemër dhe jo në zhbllokimin e arterieve të qafës dhe kush e mori një vendim të tillë.

Në dokumentet, që u janë dorëzuar familjarëve me rastin e lirimit të pacientit, janë raportet e veçanta mjekësore të specialistit të mjekësisë interne dhe endokrinologut, neurologut dhe mjekut kujdestar që e kishte pranuar pacientin në ditën e parë në Spitalin Amerikan. Por, ajo që bie në sy është se, në mesin e dokumentacionit, mungon vetëm raporti mjekësor i kardiologut, përkatësisht kardiologut invaziv që ka rekomanduar koronarografinë dhe që ka intervenuar për vendosjen e stentës në zemër.

Referuar dokumenteve zyrtare, emri i kardiologut mbetet enigmë edhe në raportin e përgjithshëm të epikrizës të nënshkruar nga mjeku përgjegjës i këtij rasti, neurologu, Blerim Myftiu. 

 “Para vendimit për endarterektopinë  konsultohet kardiologu i cili sugjeron vlerësimin e arterieve koronare paraprakisht. Kështu që më 23.05.2019 realizohet koronarografia ku konstatohet stenoze 80 % në OM, 40-50% në LAD dhe nuk ka stenoze në stent në RCA. Realizohet intervenimi në OM, heparinizohet dhe pacienti del në gjendje të mirë nga salla operatore.”, thuhet në Raportin e Përgjithshëm të Epikrizës, të nënshkruar  nga mjeku përgjegjës, neurologu, Blerim Myftiu.

MJEKU ME TË KALUAR KRIMINALE DYSHOHET SE REKOMANDOI KORONAROGRAFINË DHE VENDOSI STENTËN TE PACIENTI

Familjarët dyshojnë se propozimin për koronarografinë dhe intervenimin me stentë në zemër e ka bërë kardiologu me të kaluar kriminale në Maqedoni, Sasho Josimovski, i cili vite më parë, kishte qenë i dënuar në shtetin e tij me dy vjet e gjysmë burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në rastin e ashtuquajtur “Metastaza”.

Ata e mbështesin këtë pretendim, në bazë të një takimi që kishin realizuar me dr. Josimovskin, më 29 maj 2019, ku ky i fundit merr përgjegjësinë për propozimin e koronarografisë dhe vendosjen e stentës në zemrën e babait të tyre. Siç thotë i biri i pacientit, biseda është incizuar me qëllim që të dorëzohej si provë te organet e drejtësisë, pasi kishte vërejtur trajtimin e pandërgjegjshëm mjekësor ndaj prindit.

 “Dëgjo, tash unë flas për punën e kardiologjisë. Fuqia e zemrës është mirë mas koronarografisë sepse unë propozova koronarografinë, edhe e di që ka diçka dhe një degë që e furnizon me gjak murin e pasëm të zemrës ka ngushtim 80 përqind. Tjetra arterie, arteria e majtë ka 40 përqind. Kjo është mirë. Tjetër dicka, edhe kemi vendos një stentë, pacienti është mirë.”, dëgjohet duke thënë, gjatë kësaj bisede, kardiologu maqedonas, teksa thekson se vendos stenta edhe në arteriet e qafës.

“Unë jam për zemër, mirëpo unë vendosi edhe stenta në arteriet e qafës”, thekson Josimovski, kur pyetet nga familjarët e pacientit nëse është mjek për arterie apo për zemër.

Ai deklarohet edhe për gjendjen shëndetësore të pacientit pas operacionit.

“Mas stentimit në arterien e zemrës, pacienti është ma mirë. Tash fillon edhe flas pak. A është ashtu? Mirëpo, ka mendime të ngadalshme.”, shton Josimovski, në bisedën e rekorduar të cilën e posedon të plotë, Gazeta Sinjali.

JOSIMOVSKI BIE NË KUNDËRSHTIM ME VETËVETËN DHE TENTON T`I IK PËRGJEGJËSISË PASI KUPTON SE PACIENTI KISHTE PËSUAR SULM SAPO KISHTE DALË NGA SPITALI

Josimovski pranon përgjegjësinë për rastin deri në momentin kur njoftohet nga familjarët se babai i tyre, kishte pësuar infarkt sapo kishte dalë nga Spitali Amerikan, pas insistimit të mjekëve për lirimin e tij për në shtëpi.

Më pas, biseda merr kahje tjetër. Sasho Josimovski tenton t`i ikë përgjegjësisë profesionale duke bërë të ditur se për këtë pacient nuk ka vënë firmën askund ndërsa përgjegjësinë për këtë t`ia hedh neurologut, Blerim Myftiu si mjek mbikëqyrës në këtë rast.

“Jo, jo nuk ka mundësi. Ajo nuk është e mundur. Për këtë duhet të diskutoni me Blerimin sepse Blerimi e ka mbikëqyrë pacientin! Unë veç ndërhyrje kam bërë. Ai ka qenë pacient i Blerimit.”, thekson Josimovski deklaratë kjo që do të zbardhet më gjerësisht gjatë ditëve në vijim.

Në anën tjetër, mjeku Sasho Josimovski ndryshe prej asaj që kishte thënë në takimin me familjarët, kur është kontaktuar nga Gazeta Sinjali, ka mohuar se vendos stenta tek pacientët.

“Jo, jo, jo. Zotëri, veç për informata juaj. Stenta në këtë spital vendos dr. Lulzim Brovina. A po kupton? Unë punoj veç për elektrostimulim.”, ka thënë për Gazetën Sinjali, kardiologu maqedonas.

Kujtojmë se javë më parë, Sasho Josimovski u denoncua nga kolegjiumi i Klinikës së Kardiologjisë së QKUK-së, për një rast tjetër, nën dyshimin se i vendosi  një pacienti kosovar, bateri në zemër dhe dy stenta pa pasur nevojë për ç`gjë po hetohet nga Oda e Mjekëve dhe Inspektorati Shëndetësor.

Gazeta Sinjali ka provuar dje tē kontaktojë me doktorin Lulzim Brovina, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Në telefonin e tij është lajmëruar një zonjë e cila ka thënë se ai është i zënë dhe do të lajmërohet sapo të lirohet, gjë të cilën nuk e ka bërë ndonëse redaksia e ka telefonuar edhe disa herë prej ditës së djeshme, por pa sukses.

https://www.facebook.com/GazetaSinjali/videos/2422338384560661/

FAMILJARËT THONË SE NË CD-NË QË PRANUAN NGA SPITALI AMERIKAN NUK SHIHET INTERVENIMI

Ndërkohë, sa i përket ndërhyrjes me stentë në zemër ndaj pacientit S. N., familjarët ngrehin edhe një dyshim për një gjë që kishin kuptuar pasi e kishin dërguar babain e tyre për trajtim në Maqedoni.

“CD-të që i kam pasë prej tyre (mjekëve të Spitalit Amerikan) janë CD-ja që nuk shihet as incizimi qysh është bo stenta. Nuk shihen, interesant!. Kanë provu me i zbërthy ato incizime në aparaturën e tyre atje (në Maqedoni) s`kanë mujtë me pa kurrgjë hiç”, thekson, Leon Nimani i biri i pacientit.

KËRKESA QË MBETI PA PËRGJIGJE PRET NDËRHYRJEN E PROKURORISË

Familja Nimani nuk është ndaluar asnjëherë së kërkuari përgjegjësi për siç thonë trajtimin e pandërgjegjshëm mjekësor ndaj prindit të tyre. Përvec bisedave të drejpërdrejta, ata kanë kërkuar edhe sqarime me shkrim.

Në një email të datës 16 shtator, (që mund ta shihni më poshtë) Leon Nimani, i biri i pacientit S. N. në mesin e shumë pyetjeve, nga drejtuesit e Spitalit Amerikan, kërkon sqarim pse ndaj babait të tij është ndërhyrë me stentë në zëmër përderisa ka pasur sulm në tru dhe kush ka marr vendim për ndërhyrjen.

Ndërsa Spitali Amerikan në emailin e kthyer pas 10 ditësh injoron shumicën dërrmuese të pyetjeve teksa thekson se mjekët kanë ndjekur të gjitha protokollet e duhura mjekësore në trajtimin e pacientit, S. N. Ajo cka bie në sy në këtë email është preokupimi i Spitalit Amerikan për kujdesin që duhet ta kënë ankuesit ndaj imazhit të kompanisë së tyre./Gazeta Sinjali/

Në shkrimin e radhës do të lexoni sesi të gjithë mjekët insistuan që pacienti të largohej nga spitali pas operacionit, arsyet që ata dhanë për lirimin e tij për në shtëpi, sesi erdhi te infarkti sapo pacienti doli nga spitali, tendencën për ikje nga përgjegjësia të mjekëve pasi kuptuan për rastin.