Një person i kërkuar nga organet e rendit është ndaluar në Prishtinë dhe më pas është dërguar në Qendrën e Paraburgimit, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, ndalimi është bërë më 22 qershor, rreth orës 21:35, nga zyrtarët policorë të Stacionit Qendra, në afërsi të Parkut të Taukbahçes.
Gjatë verifikimit, Policia ka konstatuar se F.M.B. kishte urdhëresë aktive të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Burimet bëjnë të ditur se ndaj tij ishte shqiptuar një gjobë prej 1 mijë e 500 eurosh, e cila për shkak të mospagesës ishte shndërruar në dënim me burgim në kohëzgjatje prej 75 ditësh.
Po ashtu, i njëjti rezulton të jetë në kërkim policor nga Njësia për Hetimin e Krimeve në Prishtinë lidhur me një rast që po hetohet për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Burimet thonë se njësia hetimore kompetente do të vazhdojë trajtimin e rastit në procedurat e mëtejshme hetimore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!