image Nis hetimi ndaj kardiologut të Spitalit Amerikan në Kosovë, Sasho Josimovski

Kosovë

Drejtësi/ Nis hetimi ndaj kardiologut të Spitalit Amerikan në Kosovë, Sasho Josimovski

news image

Prokuroria e Odës së Mjekëve të Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se ka nisur hetimin ndaj dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare të mjekut të Spitalit Amerikan në Kosovë, Sasho Josimovski.

Kardiologu nga Maqedonia dyshohet se i vuri pacienti kosovar me inicialet SH.SH. një bateri në zemër dhe dy stenta pa pasur nevojë.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se rasti i pacientit do të dërgohet për ekspertizë jashtë vendit, me qëllim të ndriçimit të së vërtetës.

 “Prokurori i OMK (Odës së Mjekëve të Kosovës) dhe Këshilli Etiko-Profesional kanë filluar hetimet e rastit si dhe kane bërë kërkesën për lejimin e ekspertizës jashtë Kosovës. Kjo ekspertizë është kërkuar për t`i ikur çfarëdo lloj konflikti të interesit që mund të ndodh gjatë hetimeve dhe rezultatit të hetimeve.”, thekson për Gazetën Sinjali, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

Oda e Mjekëve paralajmëron se në bazë të rezultateve të hetimeve do të shqiptohen edhe masat etiko-profesionale që OMK i ka në dispozicion bazuar në legjislacionin në fuqi.

Ky institucion thekson se për shkak të procesit të hetimeve, rezervohet për shpalosjen e detajeve  rreth kësaj çështjeje përderisa zotohet se OMK do jetë transparente dhe e vendosur në vendime të drejta.

Rasti i pacientit SH.SH. ishte denoncuar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës në Odën e Mjekëve përmes një shkrese më 24.10.2019.

Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, Tefik Bekteshi ka sqaruar për Gazetën Sinjali procedurat se si ka ardhur deri te zbulimi i skandalit të dyshuar mjekësor nga ana e mjekut maqedonas, Sasho Josimovski

 “Konziliumi i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive me kërkesën e kompanisë të sigurimit ka realizuar ekspertizën për arsyeshmërinë e procedurës invazive te pacienti SH.S.Në bazë të kësaj ekspertize e kemi parë të domosdoshme të lajmërojmë për këtë rast organet kompetente: Inspektoratin e shëndetësisë dhe Prokurorin e Odës së mjekëve.”

Në letrën denoncuese të nënshkruar nga drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, Tefik Bekteshi thuhet se:

“Mendojmë se çdo profesionist dhe institucion shëndetësor, detyrë parësore ka kryerjen e punës së vet sipas parimeve etike dhe profesionale ekzistuese. Besojmë se në trajtimin e z. Sh.Sh janë thyer këto parime. Prandaj për hir të pacientëve të tjerë në të ardhmen, etikës dhe profesionit, ndihemi të obliguar të denoncojmë shkeljen e supozuar të vendosjes së elektrostimuluesit permanent të zemrës pa kritere të qarta, të angiografisë koronare kontrolluese të panevojshme, si dhe vendosjen e dy stentave koronare ta panevojshme”, thuhet në letrën denoncuese.

Gazeta Sinjali dje raportoi ekskluzivisht se si mjeku maqedonas Sasho Josimovski, i dyshuar për vënien panevojë të baterisë në zemër dhe dy stentave të pacienti kosovar, ka pasur një të kaluar kriminale në Maqedoni. Ai ka qenë i dënuar me 2 vjet e gjysmë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kuadër të një organizimi të përbashkët kriminal të njohur si rasti “Metastaza”./Gazeta Sinjali/