image Ulet numri i viktimave, Italia do të nis t'i kthehet normalitetit nga 4 maji

Shëndetësi

Pandemia/ Ulet numri i viktimave, Italia do të nis t’i kthehet normalitetit nga 4 maji

news image

Më e keqja nga pandemia koronavirus në Itali duket se ka kaluar. 433 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, duke shënuar kështu një ulje të lehtë krahasuar me një ditë më parë.

Covid-19 ka shkaktuar më shumë se 23 mijë viktima në Itali. Një rënie të lehtë pësoi dhe numri i rasteve të reja, të cilët ishin mbi 3,000. Që prej shpërthimit të pandemisë, në Itali janë infektuar më tepër se 179 mijë persona.

Teksa situata po përmirësohet dita-ditës, Italia do të nisë rikthimin në normalitet që nga data 4 maj. Konfirmimi vjen nga kryeministri Giuseppe Conte, i cili prezantoi një program konkret për këtë.

“Sa i përket masave të sigurisë për shëndetin e qytetarëve, qeveria do të punojë për ndërtimin e spitaleve Covid”, theksoi shefi i ekzekutivit italian.

Ai shtoi se do të përdoren më mirë aplikacionet teknologjike dhe testet për të mundësuar një strategji efikase të parandalimit dhe kontrollimit të përhapjes së virusit. Conte kërkoi që përmirësimi i situatës të mos keqpërdoret dhe bën thirrje që të respektohet me përpikmëri protokolli i sigurisë në vendet e punës.

Megjithatë, i dërguari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe këshilltari i Ministrisë italiane të Shëndetësisë, Walter Ricciardi, kërkoi që të tregohet më shumë kujdes me rihapjen e vendit.

Sipas tij, është ende shumë herët për të nisur fazën e dytë, pasi në disa rajone ka shifra tepër të larta përhapjeje dhe viktimash nga virusi pandemik. /Gazeta Sinjali/