image Italia e ndërpret regjistrimin e fëmijëve të çifteve homoseksuale

Botë

Italia e ndërpret regjistrimin e fëmijëve të çifteve homoseksuale

news image

Më 2018, Maria Silvia Fiengo dhe Francesca Pardi ishin në mesin e çifteve të para të gjinisë së njëjtë që ishin regjistruar si prindër.

Kryetari i Milanos, Giuseppe Sala, kishte lejuar që fëmijët e lindur në familje me prindër të së njëjtës gjini të regjistroheshin në mungesë të legjislacionit të qartë kombëtar, raporton televizioni BBC.

Këtë javë, megjithatë, ajo që shihej si fitore e kryetarit të Milanos për barazinë dhe pranimin nga komuniteti LGBT, u kthye prapa.

Qeveria djathtiste e Italisë e udhëzoi këshillin e qytetit të Milanos që ta ndërpresë regjistrimin e fëmijëve të prindërve me gjini të njëjtë, duke rindezur një debat për agjendën konservatore të kryeministres Giorgia Meloni.

Disa familje, aktivistë e kundërshtarë politikë pritet të protestojnë kundër këtij vendimi në Milano të shtunën.

Zonja Meloni, e cila e udhëheq partinë e së djathtës ekstreme, “Vëllezërit e Italisë”, e kishte bërë retorikën anti-LGBT shtyllë të fushatës së saj zgjedhore, duke premtuar se do t’i mbronte vlerat tradicionale.

“Ne gjithmonë ishim familje, por njohja zyrtare si e tillë nga kryetari ynë na bëri të ndihemi të mirëseardhur. Sot, duke parë se çfarë është duke bërë qeveria jonë dhe duke ditur se familjet e tjera nuk do të mund ta kenë mundësinë e njëjtë, ndihemi të dekurajuar”- tha Fiengo.

Italia i kishte legalizuar bashkimet civile të gjinisë së njëjtë më 2016, kur në pushtet ishte një qeveri e qendrës së majtë.

Megjithatë, rezistenca e fortë nga grupet katolike dhe konservatore nënkuptoi që ligji nuk jepte të drejtë adoptimi çifteve me gjini të njëjtë.

/GazetaSinjali/