Numri i rasteve të përditshme të të prekurve me koronavirus nga Kina ka qenë në rënie të madhe për rreth një javë dhe kjo do të thotë se Koreja e Jugut tani duket se është qendra e re e epidemisë.
Koreja e Jugut raportoi 516 raste të reja të mërkurën, krahasuar me 130 raste të reja të Kinës, shkruan Business Insider.
Megjithëse Kina ka ende rastet më aktive të koronavirusit, ritmi i përhapjes është ngadalësuar ndjeshëm, ndërsa numri i rikuperimeve është rritur, shkruan tutje BI.
Në të njëjtën kohë, Koreja e Jugut është bërë vendi i dytë më i infektuar, duke përjetuar një përhapje shumë më të shpejtë sesa në Kinë, ku virusi u shfaq për herë të parë në dhjetor të vitit 2019.
Rasti i parë i virusit në Korenë Jugore ishte më 20 janar. Që nga e mërkura, aty kishte më shumë se 5 mijë e 600 raste dhe 32 vdekje.
Veç kësaj, Kina është ende më e prekura, me 80 mijë raste të konfirmuara të COVID-19 dhe një numër vdekjesh prej 2 mijë e 981.
Ndryshe, nga të gjitha vendet e Evropës, Italia është shteti më i prekur nga ky virus vdekjeprurës me rreth 79 të vdekur dhe mbi 2 mijë e 500 të infektuar./GazetaSinjali/