image Ujë i pakontrolluar rrjedh në krojet e qytetarëve të Kosovës

Sociale

Ujë i pakontrolluar rrjedh në krojet e qytetarëve të Kosovës

news image

Rreth 450 qytetarë të Kaçanikut dhe Hanit të Elezit – të dyja komuna në pjesën jugore të Kosovës – kërkuan ndihmë mjekësore në dhjetë ditët e fundit, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, me sa duket, nga pirja e ujit të ujësjellësit.

Marramendje, të vjella, kokëdhimbje, temperaturë e diarre ishin simptomat që raportuan ata.

Mostrat e ujit, të marra në disa lokacione në Kaçanik dhe Han të Elezit, zbuluan se uji aty kishte nivel të lartë të baktereve.

Një banore e fshatit Rekë të Kaçanikut, e cila u trajtua nga mjekët për të vjella, temperaturë e simptoma të tjera, thotë se nuk ndihet më e sigurt ta përdorë ujin e ujësjellësit.

Këto [institucionet] po thonë se nuk ka vend për panik, por unë e kam panikun në shtëpinë time. Këto po thonë se nuk ka vend për panik, por unë e di se çfarë kam përjetuar. Nuk kam pasur mundësi që të shkoj te mjeku. Kam qenë keq dhe kanë ardhur [nga ambulanca] dhe më kanë marrë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kaçanik, Sinan Zeneli, thotë se simptomat që kanë përjetuar pacientët, kanë qenë kryesisht të lehta, por, sipas tij, ekziston gjithmonë rreziku që helmimet e tilla të shkaktojnë gjendje më të rëndë.

“Çfarë po shohim ne, nuk është diçka që e rrezikon pacientin. Sikur të vazhdonte ai avaz dhe të mos kishte paralajmërime për këtë situatë, nuk mund të them se ajo do të kalonte pa pasoja [më të mëdha]”, thotë Zeneli.

Zyrtarët komunalë u kanë kërkuar banorëve të Kaçanikut dhe të Hanit të Elezit që të mos e përdorin ujin e ujësjellësit pa e vluar paraprakisht.

Burime të pasigurta dhe mungesë menaxhimi

Ngjarje të tilla mund të ndodhin edhe në komuna të tjera, përfshirë këtu: Drenasin, Skenderajn, Deçanin dhe Suharekën, paralajmëron Skënder Bublaku, ekspert i ujërave në Kosovë.

Në disa fshatra të këtyre komunave, thotë ai, ka sisteme të veçanta të ujësjellësit, që nuk janë nën menaxhimin e kompanive rajonale dhe, rrjedhimisht, nuk u nënshtrohen analizave dhe kontrolleve.

“…pra, janë zona që kanë burime të veçanta të ujit e që, potencialisht, nëse nuk administrohen, nuk janë në rregull teknikisht, nuk u dezinfektohet uji, janë burim i ndotjes”, thotë Bublaku për Radion Evropa e Lirë.

Për të rritur sigurinë dhe cilësinë e ujit që pinë qytetarët, Bublaku thotë se të gjitha rrjetet e ujësjellësve duhet të futen nën menaxhimin e kompanive rajonale, të cilat janë përgjegjëse për monitorimin e cilësisë së ujit.

Pikërisht në fshatrat e Kaçanikut, ku edhe janë helmuar qindra banorë, ndodhet një ujësjellës vetanak, që thuhet se nuk është nën menaxhimin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni”.

Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, thotë se përgjegjësia bie mbi këtë kompani. Ai tregon se autoritetet lokale, vitin e kaluar, kanë investuar 150 mijë euro në rritjen e kapaciteteve të ujit dhe shpërndarjes së tij, si dhe kanë nënshkruar një kontratë të re këtë vit, për të njëjtin qëllim, në vlerë prej 203 mijë eurosh.

Këto janë mundësitë tona, edhe pse s’e kemi obligim ligjor, por vetëm moral, për shkak se është komplet punë e Qeverisë dhe Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal ‘Bifurkacioni’”, thotë Ilazi.

/GazetaSinjali/