Të martën, shtëpia e futbollit evropian i konfirmoi katër ligat e Ligës së Kombeve 2020/21 si dhe i ka lajmëruar disa ndryshime të fundit në formatin e kësaj gare.
Struktura e re e ligës përbëhet nga 16 skuadra në Ligat A, B dhe C, ndërsa vetëm shtatë skuadra në ligën D.
Shorti për fazën e grupeve do të mbahet më 3 mars të vitit 2020, në Amsterdam, por tashmë Kosova i di kundërshtarët potenciale të vet.
Pasi triumfoi në grupin e vet në Ligën D në sezonin inaugurues të Ligës së Kombeve, Kosova e fitoi promovimin në Ligën C për sezonin e ardhshëm, ku kundërshtare e mundshme e Kosovës është edhe Shqipëria.
Kundërshtaret e tjera të Kosovës mund të jenë: Greqia, Mali i Zi, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Bjellorusia, Qipro, Estonia, Sllovenia, Lituania, Luksemburgu, Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani ose Moldavia.
Skuadrat do të ndahen në katër grupe të përbëra nga katër skuadra. Fituesi i grupit do të promovohet në Ligën B, ndërsa dy ekipe të Ligës C do të bien në Ligën D për edicionin e tretë të garës.
Dy skuadrat që do të bien nga Liga C do të vendosen përmes play-offs me dy ndeshje, një në shtëpi e një si mysafir. Në play-offs do të marrin pjesë katër klubet e radhitura në pozitën e katërt në grupe.
Kalendari i Ligës së Kombeve 2020/21
Java e parë: 3–5 shtator 2020
Java e dytë: 6–8 shtator 2020
Java e tretë: 8–10 tetor 2020
Java e katërt: 11–13 tetor 2020
Java e pestë: 12–14 nëntor 2020
Java e gjashtë: 15–17 nëntor 2020
Finalet: 2–6 qershor 2021