Zyra e kryeministrit ka reaguar lidhur me raportimet se polici i dyshuar për vrasjen e sotme, në rrugën “Natos ‘99” në Gjilan, ishte pjesë e ekipit të mbrojtjes së afërt të kryeminsitrit në detyrë.
“Zyra e Kryeministrit u ka bërë thirrje medieve që për lajmet e tilla, para se të plasojnë lajmet, të marrin informata të sakta dhe të mos përhapin të pavërteta, në të njëjtën kohë sqaron se polici i identifikuar si kryes i kësaj vepre, asnjëherë nuk ka qenë pjesë e ekipit të mbrojtjes së afërt, të kryeministrit në detyrë”, thuhet në reagim.
Tutje kjo zyrë fton që organet e rendit të ndërmarrin të gjitha veprimet për të identifikuar shkakun dhe për të marrë vendimet e duhura, deri në ndriçimin e plotë të rastit, duke shprehur njëkohësisht edhe ngushëllime për familjen.
Polici Vllaznim Hamdiu sot rreth orës 05:00 e ka qëlluar për vdekje qytetarin Lulzim Spahiu.
Burime të sigurta i kanë thënë Gazetës Sinjali se polici dhe viktima janë përleshur pas një aksidenti që kanë pasur në rrugën “Nato ’99” në Gjilan, me ç’rast pasi viktima e ka goditur veturën e policit, ky i fundit nuk është përmbajtur, duke e qëlluar në kokë me një plumb të vetëm, i cili e ka lënë të vdekur qytetarin në kabinën e kamionit./Gazeta Sinjali/