Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka reaguar pas raportimeve të sotme se djali i tij i kthyer nga SHBA-ja nuk u karantinua në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.
Aliu ka sqaruar se djali i tij, Eneu është 17 vjeçar dhe kthimin e tij në Kosovë u bë pa përcjellje të prindit.
Sipas tij, në bazë të rregullorës së Ministrisë së Shëndetësisë, atij, si i mitur dhe pa përcjellje, nuk i lejohet karantimi.
“Sot thuajse tërë ditën ishte temë çështja e kthimit të djalit tim nga ShBA-të dhe vetizolimit të tij në shtëpi. U manipulua shumë nëpër portale dhe u përcoll edhe me komente të shumta fyese. Eneu është 17 vjeçar dhe në kthimin e tij në Kosovë ishte pa përcjellje te prindit. Në bazë të rregullorës së Ministrisë së Shëndetësisë, atij, si i mitur dhe pa përcjellje, nuk i lejohet karantimi. Nëse ai do të ishte 18 vjeçar, do të karantinohej pa hezitimin më të vogël”, thuhet në reagimin e Aliut në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Më tej, ai ka sqaruar se djali i tij tash është në vetizolim për 14 ditë, duke iu bindur rregullave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërsa, sa për qëndrimin në Amerikë, Aliu shton se Eneu përfundoi atje vitin e dytë të shkollës së mesme, si bursist i programit “YES” që financohet dhe kontrollohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit. /GazetaSinjali/