image U ndalua nga Policia në Gjakovë, në bagazh iu gjet pistoletë me 43 fishekë – arma konfiskohet pavarësisht lejes

Sinjalizime

U ndalua nga Policia në Gjakovë, në bagazh iu gjet pistoletë me 43 fishekë – arma konfiskohet pavarësisht lejes

news image

Një armë zjarri dhe dhjetëra fishekë janë sekuestruar mbrëmjen e së enjtes në Gjakovë, pas një kontrolli të realizuar nga Policia ndaj një automjeti në lëvizje.

Sipas burimeve të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, rasti ka ndodhur rreth orës 22:00 në rrugën “Sadri Zeneli”, ku njësia policore ka ndaluar një veturë për kontroll.

Gjatë verifikimit, drejtuesi i automjetit, Nik Uka, ka njoftuar vetë zyrtarët policorë se në bagazhin e veturës ndodhej një armë zjarri.

Kontrolli i mëtejmë ka rezultuar me gjetjen e një pistolete dhe 43 fishekëve, të cilat janë sekuestruar nga Policia.

I dyshuari ka prezantuar leje të vlefshme të shenjëtarisë për armën, por ka deklaruar se armën e mbante në bagazh me qëllim që ta largonte nga shtëpia dhe fëmijët e tij.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Arma dhe municioni janë konfiskuar si prova materiale, ndërsa Nik Uka është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti mbetet nën trajtim nga organet kompetente.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/