Turqia hedh hapin e parë drejt konkretizimit të zotimit për të ndërtuar 500 banesa në Shqipëri. Ambasada e saj në Tiranë bëri me dije me udhëzim të presidentit Rexhep Tajip Erdogan që këto shtëpi të ngrihet, dhe mundësisht sa më shpejt.
Përmes një njoftimi në faqen e vet zyrtare në Facebook, misioni diplomatik turk theksoi se në takim u vendos të përcaktohet toka e përshtatshme për 500 shtëpi që do të ndërtohen, por pa sqaruar ende se ku do të jetë saktësisht.
“Delegacioni ynë i përbërë nga Drejtoria e Administrimit dhe Banesave Publike kryesuar nga Ambasadori Yörük, në zbatim të udhëzimit të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për ndërtimin e 500 banesave në Shqipëri, zhvilloi takimin e dytë me delagacionin shqiptar të kryesuar nga Ministrja e Kultures znj. ElvaMargariti. Në takim u vendos të përcaktohet toka e përshtatshme për 500 shtëpi që do të ndërtohen.”– shkruan ambasada në krah të fotove të takimit.
Dy ditë më parë, ambasadori i shteti turk, Murat Ahmet Yörük, u citua të pohonte se kanë ardhur në vendin tonë ekipet që do të bëjnë të gjitha studimet, dhe në bashkëpunim me qeverinë të ndajnë vendet dhe qytetet ku do të ndërtohen këto godina të reja për gjithë të prekurit nga tërmeti i fuqishëm që la pas dhjetëra viktima.