Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel konfirmon se Romelu Lukaku donte të largohej nga Chelsea dhe nuk është i sigurt për rikthimin e tij.
Sulmuesi belg është rikthyer te Interi 10 muaj pas transferimit të tij prej 113 milionë eurosh te Chelsea. Ai kishte luftuar për t’u vendosur në Stamford Bridge nën drejtimin e temnikut gjerman duke shënuar vetëm 15 gola në 44 paraqitje.
Ai tani është kthyer në Inter në një marrëveshje huazimi me vlerë 8 milionë euro.
“Ne vendosëm së bashku me pronarët që do ta linim të shkojë”, tha Tuchel për Sky Sports UK, siç citohet nga Mail online.
“Ishte dëshira e tij që të shkonte, ai kishte mundësinë, ne e lamë të ikte.
Ne sollëm tani Raheem Sterling, i cili na jep shumë fleksibilitet, shumë lëvizshmëri, shumë opsione sulmuese në front, edhe nëse nuk transferojmë më shumë lojtarë.”
Interi nuk ka një opsion për të blerë Lukakun përgjithmonë verën e ardhshme, por sipas raporteve të shumta në Itali, Chelsea dhe Inter kanë diskutuar tashmë një huazim të ri të mundshëm për 2023-24.
“Duke pasur parasysh faktin se ai është vetëm në huazim, sigurisht që ka një shans”, vazhdoi Tuchel, kur u pyet për rikthimin e mundshëm të Lukakut në klub.
“Nuk e di nëse ka shumë gjasa, por nuk më takon mua të jap një këndvështrim për këtë. Ka një shans për të.”
Lukaku pranoi hapur gjatë një ngjarjeje të enjten mbrëma se bashkimi me Chelsean nga Interi në verën e 2021 ishte një gabim.
“Tani jam i lumtur që do ta vesh këtë fanellë, skuadra e di se çfarë duhet të bëjmë, do të jetë një sfidë e madhe këtë sezon dhe ne duhet të vazhdojmë kështu”, tha belgu.
“E kuptova sezonin e kaluar kur isha në Angli, se sa i rëndësishëm është Interi në botë. Profili i klubit po përmirësohet në shkallë ndërkombëtare, qasja e mediave sociale është gjithashtu shumë e rëndësishme dhe ju mund të shihni se si veprojmë në dhomat e zhveshjes, në stërvitje, përqafimet dhe shakatë tona”.
Lukaku shënoi 64 gola në 95 paraqitje nën Antonio Conte gjatë periudhës së tij të parë dyvjeçare në Inter, duke fituar titullin e Serie A në sezonin e tij të dytë në Stadio Meazza.