Presidenti amerikan, Donald Trump shpalli sot marrëveshjen e re trepalëshe të tregtisë, e negociuar për shumë muaj me Meksikën dhe Kanadanë, por edhe me opozitën demokrate.
“Sot, ne po i japim fundin makthit të Alena-s”, tha Donald Trump gjatë një ceremonie nënshkrimi në Shtëpinë e Bardhë, duke iu referuar marrëveshjes së mëparshme, e cila lidhte tre vendet që prej vitit 1994, por e kritikuar ashpër, duke theksuar se i kishte kushtuar ekonomisë amerikane shumë vende pune.
Ky është akti i fundit në një proces shumë të gjatë, i cili nisi nga ardhja e miliarderit republikan në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2017, deri në miratimin përfundimtar nga Kongresi amerikan në mes të janarit të Marrëveshjes SHBA-Kanada-Meksikë. /Gazeta Sinjali/