COVID-19 po vijon të përhapet me ritme tepër të shpejta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë të mërkurës, u raportuan më shumë se 58 mijë raste të reja dhe 820 viktima.
Kjo e çoi totalin e të prekurve në mbi 3 milionë, teksa jetët e humbura, që prej shpërthimit të pandemisë, janë mbi 132 mijë. Rigjallërimi I virusit ka detyruar dhjetëra shtete amerikane që të frenojnë planet për rihapjen e ekonomisë, madje në disa janë kthyer dhe kufizimet.
Përtej kësaj, ka ndezur dhe përplasjen e tensionet mes presidentit, Donald Trump dhe zyrtarëve të shëndetësisë, grindje e cila deri më tani ishte zhvilluar larg syrit të publikut.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë jo vetëm që nuk i beson apo ndjek këshillat e ekspertëve si për shembull ato të virologut të njohur, Anthony Fauci, por as që merr pjesë prej muajsh në takimet e Task Forcës së qeverisë së tij, të ngritur për të luftuar pandeminë koronavirus.
Madje një prej mbledhjeve të fundit ishte mbajtur jashtë Shtëpisë së Bardhë. Presidenti amerikan ka shfaqur shumë pak interes për punën e ekspertëve, dhe kjo i ka demoralizuar në betejën ndaj një krize shëndetësore që vjen njëherë në gjeneratë.
Trump kërkon me ngulm rihapjen e ekonomisë dhe shkollave, pa marrë parasysh rreziqet për popullatën, por planet e tij prishen shpesh nga këshillat e Task Forcës që pohon se SHBA është e zhytur deri në gjunjë në valën e parë të pandemisë. /Gazeta Sinjali