Presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar Kinën se kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe se kishte siguruar në mënyrë të paligjshme të dhënat e rreth 220 milionë votuesve amerikanë.
Gjatë një fjalimi nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se kishte deklasifikuar qindra dokumente të inteligjencës, të cilat, sipas tij, zbulojnë dobësi serioze në sistemin zgjedhor amerikan. Megjithatë, ai nuk paraqiti prova se veprimet e pretenduara të Kinës kishin ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve.
Vlerësimi zyrtar i komunitetit amerikan të inteligjencës kishte arritur më herët në përfundimin se Kina nuk kishte ndërhyrë për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Edhe Ambasada Kineze në Uashington i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se Pekini nuk kishte ndërhyrë dhe nuk do të ndërhynte në zgjedhjet amerikane.
Demokratët e kritikuan presidentin, duke e akuzuar se po përpiqet të minojë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Ndërkohë, një sondazh i ri i “Washington Post-Ipsos” tregon se mbështetja për Trumpin ka rënë në 37 për qind, ndërsa 61 për qind e të anketuarve nuk e miratojnë punën e tij. Shqetësimet kryesore lidhen me koston e jetesës, ekonominë dhe luftën me Iranin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!