Sot do të zhvillohen tre ndeshje të tjera në kuadër të xhiros së katërt të edicionit 2023-24 në Albi Mall Superliga, raporton Sinjali Sporti.
Do të kemi tri duele tejet interesante, që pritet të zgjojnë vëmendje të madhe.
Kampioni Ballkani, i cili rishkroi histori në mesjavë pasi u kualifikua në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, kthehet në aksion në futbollin vendor ku e pret në Suharekë skuadrën e Gjilanit.
Si Ballkani, ashtu edhe Gjilani kanë zhvilluar vetëm nga dy xhiro këtë edicion të ri, me ‘portokallinjtë’ që bënë kërkesë në FFK dhe te Drita për shtyrjen e ndeshjes me klubin gjilanas për shkak të ndeshjes kthyese ndaj BATE-s, kurse Gjilani nuk luajti në xhiron e parë ndaj Fushë Kosovës, e cila u shtye pas problemeve të brendshme të klubit bardh e kuq.
Ballkani ka dy fitore këto dy xhiro të zhvilluara kurse Gjilani është pa fitore, me një humbje e një barazim.
Dueli tjetër interesant është ai mes Dritës dhe Dukagjinit.
Në dy xhiro të zhvilluara, Drita ka një fitore e një barazim, kurse Dukagjini ende nuk ka shijuar fitoren këtë kampionat, me dy humbje e një barazim në tre ndeshje të luajtura.
Sfida tjetër që po ashtu zgjon interesim të madh është ajo mes Llapit dhe Prishtinës.
Kryeqytetasit e kanë nisur mirë sezonin e ri, ku në tri xhirot e para kanë dy fitore e një barazim, e ndodhur në vendin e dytë prapa Malishevës.
Llapi ndërkohë ka regjistruar dy fitore dhe një humbje pas tre ndeshjeve, e cila rangohet në pozitën e katërt.
Të gjitha duelet fillojnë nga ora 16:00.