Në komunën e Prishtinës mbrëmë janë regjistruar edhe 11 raste të reja me koronavirus, ndërkaq raste aktive janë gjithsej 150. Disa prej rasteve të fundit të konfirmuara ende nuk janë gjurmuar, dhe nuk dihet gjendja shëndetësore e tyre shkruan Gazeta Sinjali.
Megjithkëtë, Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Bujar Gashi tha se gjendja e pacientëve deri në ditën e djeshme ka qenë stabile.
“Në përgjithësi rastet deri dje kanë qenë në gjendje stabile, edhe rastet e testuara në QKMF janë raste pa simptoma, mirëpo për rastet që janë testuar në Klinikën Infektive ende nuk kemi informacione se në çfarë gjendje janë” tha Gashi për Gazetën Sinjali.
Gashi tha se mostrat që janë marrë nga Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare janë raste kontakti. Ndërkaq rastet në Klinikën Infektive, ai tha se duhet të kontakohen për të gjurmuar si ka ardhur deri te infektimi.
“Rastet që janë marrë mostrat në QKMF, janë raste kontakti, ndërsa 3 raste që janë marrë mostrat në Klinikën Infektive duhet të kontaktohen dhe të mirren informacione se me kë kanë pasur kontakt” shtoi Gashi.
Në Kosovë deri më tani janë infektuar 1 mijë e 384 persona, prej tyre 921 janë shëruar dhe 31 të tjera kanë vdekur, ndërsa raste aktive janë 432. /GazetaSinjali/