image Trajnerja e Kosovës: Jemi në avantazh se luajmë në "Fadil Vokrri"

Futboll

Futboll/ Trajnerja e Kosovës: Jemi në avantazh se luajmë në “Fadil Vokrri”

news image

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes së kundër Sllovenisë.

Kjo ndeshje luhet në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021. Dardanet pas humbjes së të premtes nga Rusia (5:0) kanë zhvilluar tri seanca stërvitore.

Të parën e kanë mbajtur mëngjesin e së shtunës në Wiesbaden, të dielën kanë stërvitur në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, derisa sonte kanë zbritur në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, aty ku nesër në orën 18:00 do ta zhvillojnë duelin me sllovenet.

Gjatë këtyre dy ditëve përzgjedhësja Afërdita Fazlija me asistentët e saj Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli kanë punuar në aspektin psikologjik me ekipin, në mënyrë që motivi për këtë ndeshje të jetë në nivelin e duhur.

“Gjatë këtyre dy ditëve jemi përpjekur të bëjmë rigjenerimin e forcave dhe më shumë kemi punuar në aspektin psikologjik, sepse ndeshja me Rusinë ka qenë me ngarkesa të mëdha dhe vetë forma e pësimit të golave nga vashat tregon se sa të ngarkime kanë qenë ato në atë sfidë. Jemi përpjekur maksimalisht që t’i evitojmë gabimet e shfaqura në ndeshjen paraprake, në mënyrë që të mos marrim gola të tillë naiv. Sllovenia ka ekip shumë të mirë, ndoshta për një nuancë edhe më të mirë se Rusia, por ne jemi në avantazh se luajmë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Vajzat do të japin maksimumin dhe pres që të dalim me rezultat pozitiv” – u shpreh Fazlija.

Po ashtu, rëndësi e madhe iu ka kushtuar edhe rreshtimit të skuadrës, sidomos në repartin e mbrojtjes, duke pasur parasysh pësimin e lehtë të golave në ndeshjen e kaluar./Gazeta Sinjali/