Me makthin e të nxehtit (sot në Baku termometri do të shënojë 36 gradë) dhe me ëndrrën për të përsëritur suksesin e Evropianit 2004, kur gjithnjë në çerekfinale kombëtarja e Republikës Çeke eliminonte pikërisht Danimarkën. Kështu i afrohet skuadra e Jaroslav Shilhavit ndeshjes së sotme. Në atë sfidë, Shilhavi ishte asistent i trajnerit Brukner
“E kujtoj 2004-ën dhe është ende gjallë te të gjithë ne, por nuk do të jetë një motivim ekstra për të fituar nesër (sot). Është një situatë e ndryshme. Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Motivimet i gjejmë vetë dhe janë shumë të larta, duke mos pasur nevojë për ta kujtuar atë fitore.
Si ne, ashtu edhe Danimarka kemi një stil të ngjashëm loje. Të dyja jemi ekipe të forta. Pikën e fortë kemi grupin. Ne duhet të luajmë mirë kolektivisht, pikërisht siç bëmë kundër Holandës. Do të jetë një ndeshje shumë e luftuar dhe do ta vendosin detajet.
A do të më zërë gjumi përpara ndeshjes? Unë kam të njëjtat emocione si përpara çdo ndeshjeje. Por, rëndësi ka që lojtarët të pushojnë mirë”, tha trajneri në konferencë.
Lajmi i mirë për çekët është rikuperimi i kapitenit Darida, i cili mungoi ndaj Holandës në 1/8-at: “Jam gati dhe 100% për të luajtur. Jemi të përgatitur dhe të përqendruar.
Kjo është një sfidë vendimtare. Për 2004- ën nuk kemi folur. Ky është shansi ynë për të shkuar edhe më larg”. /Gazeta Sinjali Sporti/