image Çekia merr kryesimin e BE-së, e gatshme ta vendos në rend dite çështjen e vizave për Kosovën - Sinjali

Çekia merr kryesimin e BE-së, e gatshme ta vendos në rend dite çështjen e vizave për Kosovën

news image

Çekia, nga 1 korriku, mori kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, që zgjat deri në fund të këtij viti.

Në gjashtë muajt paraprakë, në këtë pozitë ishte Franca.

Sipas diplomatëve në Bruksel, Çekia do të mbajë si prioritet një varg çështjesh që kanë përshkuar edhe kryesimin francez, e që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë dhe sigurinë e furnizimit me energji.

Një diplomat i lartë evropian tha se Çekia do ta ketë prioritet të rëndësishëm edhe Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, Çekia shpreson që gjatë presidencës së saj të ketë edhe përparim konkret rreth Ballkanit Perëndimor – të nisin negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe të përmbyllet procesi i liberalizimi i vizave për Kosovën.

Sipas burimeve diplomatike, nivelet më të larta po punojnë që konferenca e parë ndërqeveritare, me të cilën do të hapeshin simbolikisht negociatat e anëtarësimit për Shkupin dhe Tiranën, të ndodhë para pushimeve të verës – pra, në muajin e parë të kryesimit çek, shkruan REL.

Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, Çekia, sipas burimeve diplomatike, është e gatshme që këtë vendim ta vendosë në rend të ditës, sapo të vërtetohet se ka gatishmëri nga vendet anëtare për heqjen e vizave.

Kjo është hera e dytë që Çekia merr kryesimin e BE-së qëkur është bërë anëtare e bllokut në vitin 2004.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: