Një tragjedi familjare ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Dushnik të Beratit, ku xhaxhai dhe nipërit humbën jetën në pusin e ujit të pijshëm nga asfiksia.
Neim, Kamber dhe Gentian Hoxha, 46, 75 dhe 45 vjeç, kanë mbetur të bllokuar brenda pusit, ku ishin futur për pastrimin dhe thellimin e tij.
Mësohet se pusi ishte i familjes së Kamberit, i cili ishte futur dhe i pari. Ndërsa pas tij në ndihmë ka shkuar nipat Gentiani dhe Neimi, që gjithashtu kanë mbetur të bllokuar në pus.
“Në datën 07.05.2020, ora 07:30, në fshatin Dyshnik, Berat, shtetasi K. H., 75 vjeç, ka hyrë brenda në pus për ta pastruar atë dhe më pas janë afruar dy nipërit për ta ndihmuar, shtetasit N. H., 46 vjeç dhe G. G., 45 vjeç, të cilët kanë mbetur brenda në pus” njoftoi policia.
Gentiani mësohet se është djali i motrës së Kamberit dhe mban edhe mbiemrin e dajave, ndërsa Neimi është djali i vëllait të Kamberit.
Të alarmuar për situatën, dy nipat e tjerë kanë njoftuar menjëherë policinë. Shërbimi zjarrfikës i mbërritur në vendngjarje bëri të mundur fillimisht nxjerrjen e Neimit, i cili u nis në gjendje të rëndë në spital.
Pas tij u nxorën të pajetë Kamberi dhe Gentiani. Dhimbja u thellua më tej kur më vonë nga spitali u njoftua dhe vdekja e Neimit.
“Tre persona janë asfiksuar në fund të pusit 9 metra të thellë. Ngjarja ka ndodhur në orën 8 të mëngjesit. Kamberi 75 vjeç, me Neimin 40 vjeç dhe Gentianin 44 vjeç janë futur në pus për ta thelluar dhe pak se nuk ka ujë të pijshëm. Pas 30 minutash, gazi i ka asfiksuar dhe kanë mbetur në fund të pusit. Më pas familjarët kanë njoftuar policinë. Në vendngjarje janë tre autoambulanca dhe zjarrfikëset. Këto të fundit kanë nxjerrë të parin Neimin, që është futur i fundit në pus. Ai është dërguar në spital në gjendje të rëndë. Pas tij janë nxjerrë Kamberi dhe Gentiani, të dy pa shenja jete” raporton gazetari i Ora News.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës së tre shtetasve./GazetaSinjali/