Mediat në Serbi kanë shkruar të martën se ish-kryetari i Zveçanit nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq ka pranuar një aktgjykim me të cilin është dënuar me një vit burg në tetor të këtij viti për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.
Sipas Blicit serb, medium që ka siguruar edhe dokumentin “aktgjykimi i tetorit është marrë në gjykimin e përsëritur ndaj Todosijeviqit dhe avokati i tij do të ankohet në Gjykatën e Apelit të enjten”.
Ndaj kësaj ka reaguar edhe drejtori i së ashtuquajturës, “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviq, i cili e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
“Dorëzimi i sotëm i vendimit për Ivan Todosijeviqin është llogaritur me kujdes dhe kohë në Prishtinë me një dhe të vetmin qëllim – ushtrimin e presioneve masive mbi serbët, frikësimin e tyre”, ka propaganduar Petkoviq përmes një postimi në Facebook.
Sipas tij, Kurti “këtë e ka bërë me qëllim”, në mënyrë që “t’i provokojë serbët”, vazhdon propaganda.
Po ashtu Petkoviq ka thënë se me këtë vendim është shkelur edhe marrëveshja e Brukselit.
Situata në Veriun e Kosovës është e tensionuar. Serbët lokalë kanë vendosur barrikada duke bllokuar rrugët, ndërkohë, Lista Serbe nuk e ka zbatuar kërkesën perëndimore për largimin e barrikadave.