Punimet e riparimit të një rezervuari në Itali kanë zbuluar mbetjet e një fshati që ishte zhytur në ujë për dekada me radhë, transmeton Gazeta Sinjali.
Liqeni Resia, në veri të Italisë, është i njohur më së shumti për kepin e kishës që del nga ujërat e tij të akullt, madje, pamja e tij mbresëlënëse ka frymëzuar një libër dhe një serial në Netflix.
Por, me liqenin e tharë përkohësisht, vendasit kanë mundur të shohin gjurmët e fundit të Curon, një fshati që ka qenë shtëpia e qindra njerëzve para se të përmbytej për t’u krijuar një hidrocentral në vitin 1950.
Liqeni Resia – ose Reschensee, siç njihet në gjermanisht – shtrihet në Tirolin e Jugut, rajoni Alpin që kufizohet me Austrinë dhe Zvicrën.
Fotografitë e shpërndara në mediat sociale tregojnë shkallët, bodrumet dhe muret mbi atë që normalisht do të ishte shtrati i liqenit, afër kullës më të njohur të kishës së shekullit të 14-të.
Luisa Azzolini, e cila është nga rajoni, shkroi në Twitter se ishte një “ndjenjë e çuditshme” të ecje mes rrënojave të ish-fshatit.
Fshati Curon humbi mes ujërave në vitin 1950, kur autoritetet vendosën të ndërtonin një digë dhe të bashkonin dy liqene, me gjithë kundërshtimet e banorëve të tij.
Më shumë se 160 shtëpi u zhytën, ndërsa popullsia e Curon u zhvendos, edhe pse disa vendosën të qëndronin në fshatin e ri të krijuar afër.
Në ditët e sotme, liqeni është i preferuar nga alpinistët në verë, por edhe në dimër nga vizitorët që mund të ecin nëpër sipërfaqen e ngrirë për të arritur në majë. /Gazeta Sinjali/