image Vrasja në Rahovec/ Kryetari i fshatit thotë se vëllai vrau vëllain për disa fjalë goje - Sinjali

Vrasja në Rahovec/ Kryetari i fshatit thotë se vëllai vrau vëllain për disa fjalë goje

news image

Një ngjarje e rëndë ndodhi të shtunën mbrëma në fshatin Sopniq të Rahovecit.

Një 65 vjeçar dyshohet se u vra nga vëllai i tij për motive banale.

I plagosuri ishte dërguar në fillim në QKMF-në e Rahovecit e më pas në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

Mjeku kujdestar, Jeton Vorfi, thotë se 65-vjeçari erdhi në spital me tri plagë të rënda që ishin fatale për jetën e tij.

65-vjeçari ka ardhur i gjallë, por në gjendje shumë kritike. Për shkak se ka pasur dy plagë hyrëse-dalëse në gjoks dhe një në qafë pacienti është reanimuar dhe i është vendosur edhe një tub torakal për të mos i dalë gjaku, mirëpo lëndimet kanë qenë shumë serioze dhe nuk iu ka mbijetuar pas gjysmë ore”, shprehet për RTV Dukagjinin, mjeku Jeton Vorfi.

Kryetari i fshatit tregon se edhe në të kaluarën vëllezërit kishin pasur mosmarrëveshje, por që me ndërmjetësimin e fshatarëve janë pajtuar.

Janë vëllezër në mes veti dhe një mosmarrëveshje e vogël duket se ka çuar në tragjedi. Ne të gjithë kemi mosmarrëveshje nga pak me njëri-tjetrin. Këta edhe më herët kanë pasur mosmarrëveshje të vogël, por unë pata insistuar të pajtohen. Kur iu ka vdekur nëna, djemtë e të ndjerit e patën marrë axhën dhe nuk kanë pasur më mosmarrëveshje. Tash kemi mbetur pa fjalë. Nuk ka as tri-katër ditë që kemi qëndruar së bashku në park. Sipas djemve të tyre, zënka e tanishme ka ndodhur për disa fjalë. Thjesht problem familjar”, tregon kryetari i fshatit Melsur Gashi.

I dyshuari për këtë rast sipas policisë është arrestuar dhe dërguar në paraburgim për 48 orë./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin