Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për peticionin “Duam Zgjedhje” të Lëvizjes Vetëvendosje përmes të cilit kërkohet mbajtja e zgjedhjeve të reja në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Thaçi tha se nuk është ai që vendosë për vërtetësinë e këtij peticioni, mirëpo, ai paralajmëroi se nëse rezulton se nënshkrimet janë falsifikuar, atëherë do të ketë ballafaqim me institucionet e drejtësisë.
“Nuk kam ndonjë koment sepse nuk e kam parë peticionin. Unë nuk jam ai që vendosë, janë edhe institucionet e tjera, të cilat do të verifikojnë për vërtetësinë e atij peticioni. Nëse nuk është i vërtetë, atëherë do të ketë ballafaqim me institucionet e drejtësisë”, ka thënë Thaçi në Klan Kosova.
Lëvizja Vetëvendosje inicioi këtë peticion pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin u shpall kushtetues dekreti i presidentit, duke i dhënë kështu të drejtë Avdullah Hotit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për formimin e qeverisë së re.
Gazeta Sinjali vetëm një ditë pas publikimit të ketij peticioni, raportoi për manipulimet që po bëhen me nënshkrime.
Këtë peticion mund ta nënshkruajë kushdo, me çfarëdo numri 10 shifror. Madje, përveç manipulimit me numrin personal, nënshkruesi i peticionit mund të manipulojë edhe me emrin, mbiemrin dhe e-mailin dhe të njëjtën gjë ta bëjë për disa herë./GazetaSinjali/