image Thaçi e sheh afër marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, Grenell dhe Vuçiq jo

Kosovë

Dialogu/ Thaçi e sheh afër marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, Grenell dhe Vuçiq jo

news image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan të hënën në Shtëpinë e Bardhë në Washington, me ftesë të emisarit special të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ku pjesëmarrës ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

Ky takim, për presidentin serb ishte “si zakonisht”, ndërkaq presidenti i Kosovës beson se ishte “takim i kthesës kritike dhe pozitive”. Vuçiq ka deklaruar sot se nuk e sheh në horizont marrëveshjen me Kosovën, ndërsa për Thaçin, marrëveshja finale me Serbinë është afër, shkruan Gazeta Sinjali.

“Takimi i Washingtonit në çastin që po flas, dy ditë më parë në mes të presidentëve të të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, besoj se do të jetë takimi dhe momenti i kthesës kritike dhe pozitive që nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidershipit të presidentit Trump, dinamikës dhe mençurisë së ambasadorit Grenell të arrihet marrëveshja në të ardhmen e afërt”, ka thënë Thaçi.

Marrëveshjen përfundimtare, Vuçiq ka thënë se nuk e sheh në horizont dhe se “as që po bisedohet për të”, citon agjencia serbe e lajmeve, “FoNet”. Vuçiq ka thënë se të hënën me Thaçin kanë biseduar vetëm për linjën ajrore, linjën hekurudhore dhe autostradat.

Edhe emisari i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka mohuar se marrëveshja për të cilën është i angazhuar edhe vetë, është afër të ndodhë.

Grenell ka reaguar të martën ndaj gazetarit Tim Judah, i cili kishte thënë se Trump dhe Grenell po dëshirojnë ta arrijnë një marrëveshje sa më të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gabim. Ju nuk e dini se për çfarë po flisni. Askush s’është duke provuar që t’i lëvizë gjërat shpejt dhe nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të madhe. Ju po trilloni gjëra”, ka shkruar Grenell në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.

Sidoqoftë, një vëmendje e veçantë e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi vihet re kohët e fundit, derisa emisari Grenell nuk e ka gjetur mirëkuptimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ta hequr taksën tërësisht në mënyrë që dialogu Kosovë-Serbi të rifillojë edhe zyrtarisht. /Gazeta Sinjali/