image Termokosi zgjeron shtrirjen, këto lokacione do të kenë ngrohje për herë të parë

Sociale

Termokosi zgjeron shtrirjen, këto lokacione do të kenë ngrohje për herë të parë

news image

Edhe këtë vit parashihet që furnizimin me ngrohje Termokosi ta fillojë më 15 tetor, për 15 mijë konsumatorë, ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, zëdhënësja e kësaj Ndërmarrje Publike, Afërdita Uka-Zejnullahu.

Realizimi i përgatitjeve për fillimin e sezonit ngrohës nga Termokosi është në përfundim e sipër dhe këtë vit për herë të parë në rrjetin e ngrohjes do të kyçen këto objekte të reja: shkolla fillore “Meto Bajraktari”, objekti i Teatrit Kombëtar, Ministria e Kulturës, 5 objekte të vjetra banesore në lagjen “Ulpiana” si dhe 6 objekte në lagjen “Mati 1″.

“NP ‘Termokos’ SH.A., është në përfundim të realizimit të përgatitjeve për fillimin e sezonit ngrohës. Bazuar në Ligjin për ngrohje dhe rregulloret e ZRRE-së dhe në varësi të kushteve klimatike ne do të jemi të gatshëm për të filluar furnizimin me ngrohje më 15 tetor për rreth 15 mijë konsumatorë”, ka thënë Uka-Zejnullahu.

Gjithashtu ajo ka bërë të ditur se kapacitet që janë në dispozicion, përkatësisht që marrin nga Termocentrali Kosova B, janë 140 mwh.

Ndërsa tutje është shprehur se pavarësisht pandemisë, për asnjë moment nuk është çrregulluar funksionaliteti i kësaj ndërmarrje.

“Normalisht, pandemia sikur edhe për gjithë kompanitë tjera ka ndikuar edhe në ndërmarrjen tonë. Por, për asnjë moment nuk është çrregulluar funksionaliteti i ndërmarrjes. NP “Termokos” është një nga kompanitë më të suksesshme vendore dhe që prej disa vitesh ka arritur qëndrueshmërinë financiare. Për më tepër është duke operuar me bilanc pozitiv dhe me fitim.

Si pasojë e pandemisë kemi pasur një ulje të lehtë të shkallës së inkasimit, megjithatë kjo nuk e ka lëkundur qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes” përfundon Uka-Zejnullahu./ Gazeta Sinjali /