image Qeveria i legjitimon edhe për një muaj reduktimet e rrymës

Politikë

Qeveria i legjitimon edhe për një muaj reduktimet e rrymës

news image

Qeveria e Kosovës e ka miratuar zgjatjen e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike, ku përfshiheshin edhe kufizimet në furnizimin me energji elektrike për konsumatorët.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se masat e marra në dhjetor të vitit të kaluar të vlefshme 60 ditë, kishin ndikuar pozitivisht në sigurinë e furnizimin me energji elektrike, ndërsa kërkoi që ato të vazhdojnë edhe për 30 ditë.

Arifaj e arsyetoi propozimin edhe duke përmendur rrezikun e lartë, që tha se ekziston ende në mundësinë që termocentralet Kosova A dhe Kosova B të bien apo të pësojnë defekte.

“Mirëpo vjetërsia e stabilimenteve që i kemi në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, përkatësisht mundësia që ato të bien ose të pësojnë defekte duhet ta konsiderojmë si një rrezik i lartë për të siguruar furnizimin me energji elektrike”, tha ai.

Arifaj përmendi edhe situatën në Ukrainë, si një prej faktorëve që mund të ndikojë në çmimet e energjisë elektrike në tregun evropian.

“Situata e krijuar rreth Ukrainës e shton edhe më tej paparashikueshmërinë e çmimeve të energjisë në tregun evropian të energjisë, andaj konsiderojmë se është e nevojshme që të vazhdohet me masat emergjente të furnizimit me energji elektrike me një afat shtesë edhe prej 30 ditëve”, tha ai.

Përveç reduktimeve, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë edhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

/GazetaSinjali/