image “Termokos” ka filluar sot sezonin e ri ngrohës

Kosovë

“Termokos” ka filluar sot sezonin e ri ngrohës

news image

Ndërmarrja Publike “Termokos” ka njoftuar se që nga mëngjesi i ditës së sotme ka filluar furnizimi me ngrohje për afro 15 mijë konsumatorë në Prishtinë, transmeton Gazeta Sinjali.

Termokos nëpërmjet një njoftimi thotë se paraprakisht janë zhvilluar me sukses gjithë përgatitjet e nevojshme, riparimet e rrjetit e nënstacioneve të ngrohjes dhe testimet e pajisjeve e rrjetit.

“Furnizimi me ngrohje do t’i përshtatet lëvizjes së temperaturave të ajrit dhe nevojave të konsumatorëve për ngrohje”, thuhet në njoftim.

Duke u bazuar në përgatitjet e realizuara dhe zhvillimin e projekteve, që kanë qenë në proces, kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A, Arsim Fetahu është shprehur optimist se edhe ky sezon do të jetë i suksesshëm.

Ai ka shprehur kënaqësinë e tij, që në kuadër të fazës së dytë të Projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, që është realizuar me fondet e Komisionit Evropian, sivjet për herë të parë do të fillojnë të furnizohen me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore çerdhja “Xixëllonja”, shkolla “Meto Bajraktari”, objekti i Teatrit Kombëtar, Opera e Kosovës, Ministria e Kulturës, Prokuroria Speciale, 5 objekte të vjetra banesore të lagjes “Ulpiana” , ndërsa pas pak kohësh do të kyçen në rrjetin e ngrohjes edhe 6 objekte të reja banesore të lagjes “Mati 1”.

Privilegji për fillimin e sezonit ngrohës i ka takuar Qemajl Limonit, i cili është punëtori më i vjetër i ndërmarrjes. /Gazeta Sinjali/