Tërmeti që ra pasditen e së shtunës me qendër në Durrës dhe u ndje në Tiranë e disa rrethe të vendit, ishte test i rëndësishëm për ndërtuesit dhe tregoi që është punuar me përgjegjësi të madhe, pasi nuk pati asnjë lloj problematike sa i përket konstruksionit të objekteve.
Kështu deklaroi sot drejtori i Institutit të Ndërtimit Agron Hysenlliu, gjatë takimit që zhvilloi me përfaqësues të grupit të vlerësuesve të dëmeve të tërmetit në terren.
Sipas tij, 91% e rasteve të objekteve të dëmtuara nga tërmeti nuk kanë pasur probleme konstruksioni.
“Në bisedat që kam bërë me kolegët, ky test i kaloi ato të vitit 1978. U them të gjithë kolegëve që kanë punuar me ndershmëri, inxhinierët shqiptarë treguan që vërtet janë në gjendje të projektojnë dhe të bëjnë ndërtime të mira. Kjo është diçka shumë domethënëse për ne si inxhinierë. Të gjithë strukturat kanë qëndruar dhe janë në këmbë dhe siguria është e qartë dhe e saktë. Nuk pa problematika” tha ai.
Në total, në këtë proces janë angazhuar 47 inxhinierë nga sektori privat, 26 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe të gjithë stafet inxhinierike të Institutit të Ndërtimit. Po ashtu, Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit i është kërkuar që të mbështesin procesin e nisur.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinad Balluku u shpreh në këtë takim, se në procesin e vlerësimit të dëmeve nga tërmeti, do të angazhohen edhe studentë të fakultetit të linjës, në kuadër të Paktit me Universitetin që dikasteri i Infrastrukturës ka me Universitetin.