image Sot tërhiqet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim

Kosovë

KQZ/ Sot tërhiqet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim

news image

25 subjektet politike do të mësojnë sot për renditjen e tyre në fletëvotimin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon sot tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 6 tetor 2019.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se në tërheqjen e shortit përveç përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara, të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues ambasadave të akredituara në Kosovë, përfaqësues nga misioni evropian i vëzhgimit të zgjedhjeve si dhe pjestarë të OJQ-ve të akredituara për vëzhgim.

Dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që numrat e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje, të jenë nga 111 e lart, në mënyrë, që numri i subjektit politik të mos korrespondojë me numrin e kandidatëve për deputetë.

Ky propozim mori përkrahjen e të gjithë anëtarëve të KQZ-së, të cilët thanë se në zgjedhjet e kaluara disa deputetë kanë fituar shumë vota, pasi kishin numrin e njëjtë në listë me atë të partisë.

Fushata zgjedhore në Kosovë zyrtarisht fillon më 25 shtator dhe do të përfundojë më 4 tetor.

KQZ-ja ka informuar se deri më 27 shtator është afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike dhe OJQ-ve, kurse deri më 1 tetor është afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve dhe mediave./ Gazeta Sinjali/