Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka organizuar sot tërheqjen e shortit për renditjen e kandidatëve dhe subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Në garë për të parin e Mitrovicës së Veriut janë katër kandidat dhe renditja e tyre në fletëvotim do të jetë:
121. Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje
122. Kandidati i pavarur Dusan Milunovic
123. Milan Radojevic nga Lista Srpska
124. Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës
Me rastin e tërheqjes së shortit, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se janë duke vazhduar përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Podujevës.
Ai tha se kanë pranuar edhe rekomandimet nga ana e institucioneve shëndetësore, e të cilat janë duke i kthyer në procedura të veçanta në mënyrë që të gjithë qytetarët më të drejtë vote të mund të shprehin vullnetin e tyre me datën 29 nëntor.
“KQZ është duke vazhduar përgatitjet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe të Podujevës. Deri më tani jemi në rrugë të mirë dhe së fundmi kemi pranuar edhe rekomandimet nga ana e institucioneve shëndetësore, të cilat KQZ-ja është duke i kthyer në procedura të veçanta në mënyrë që të gjithë qytetarët më të drejtë vote të mund të shprehin vullnetin e tyre me datën 29 nëntor. Së fundmi KQZ ka miratuar udhëzimin e veçantë përmes së cilit do t’i mundësohet votimi të gjithë qytetarëve me të drejtë vote të cilët fatkeqësisht mund të jenë të infektuar me COVID-19 apo që janë në vetizolim. Në bazë të këtij udhëzimi do të jenë ekipet mobile lëvizëse të KQZ-së të cilat në ditën e zgjedhjeve me 29 nëntor do të shkojnë në adresat e caktuara të këtyre votuesve”, tha ai.
Ndërkaq, për kryetar të komunës së Podujevës, KQZ ka tërhequr shortin me 2 mars të këtij viti, ku numrin 10 e ka kandidati i PDK-së Naim Fetahu, 11 Nexhmi Rudari nga LDK dhe 12 Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.