image Tensionet në Veri, EULEX: Siguria është e brishtë, po përballemi me krizën më të rrezikshme që nga 2013-ta

Siguri

Tensionet në Veri, EULEX: Siguria është e brishtë, po përballemi me krizën më të rrezikshme që nga 2013-ta

news image

Situata e sigurisë në veri të Kosovës është e brishtë. Në veri të Kosovës ka një vakum sigurie pas dorëheqjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”. Kështu deklarojnë nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX për Gazetën Sinjali.

Mitrovica e Veriut vazhdon të jetë territori më i pasigurt në vend, ku nga momenti në moment mund të ketë ngritje të tensioneve.

Situata në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës u përshkallëzua pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, të shtunën e pesë nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe vendosën për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Pos zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

E kjo situatë, po cilësohet e rrezikshme nga EULEX.

Nga zyra e EULEX-it deklarojnë për Sinjalin se po përballen me situatën më të rrezikshme që nga viti 2013-të.

Siç deklaroi më 14 nëntor Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë /Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, ne po përballemi me krizën më të rrezikshme që nga viti 2013”, thuhet në përgjigje.

Duke u gjendur në këto rrethana, EULEX deklaron se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, kanë shtuar patrullat në Veri të vendit.

“EULEX-i tashmë ka rritur ndjeshëm patrullat e lëvizshme të zbulimit të Njësisë së Formuar të Policisë dhe Njësisë së Formuar të Policisë Rezervë në veri të Kosovës në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, në mënyrë që të monitorojë nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në përgjigjen për Sinjalin.

Patrullimet dhe monitorimet sipas EULEX janë duke u kryer 24 orë në shtatë ditë të javës në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Ne i kemi shtuar dukshëm patrullat tona të zbulimit në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in dhe po mundohemi të qetësojmë popullatën lokale përmes pranisë tonë të shtuar dukshëm në veri të Kosovës. Është e rëndësishme që të gjithë njerëzit nga të gjitha komunitetet të mbeten të sigurt dhe të ndihen të sigurt”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa, shtojnë se janë në gjendje gatishmërie për të reaguar në rast të cenimit të sigurisë së Kosovës.

“Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme dhe çfarë duhet, për të mbështetur stabilitetin e Kosovës, brenda kufijve të mandatit tonë dhe për të kontribuar në sigurinë e popullsisë së saj nga të gjitha komunitetet”, vijon më tej përgjigja.

Ndryshe, Bashkimi Evropian ka bërë me dije se i kanë ftuar për një takim në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave.

Një ditë me parë, zyrtarët qeveritarë janë shprehur optimist për arritjen e një marrëveshje për këtë çështje.

Ndërsa, ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlament të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, në një debat me shoqërinë civile, ka paralajmëruar zgjidhje të shpejtë të kësaj çështje.

/GazetaSinjali/