Te Juventusi diçka nuk funksionon, dhe ndoshta diçka edhe mund të jetë krisur brenda dhomave të zhveshjes, edhe pse nuk ka asgjë që nuk zgjidhet nëse je një skuadër e madhe. Gjithsesi, ajo që ra në sy shumë natën e djeshme ishte edhe debati i nxehtë mes kapitenit Leonardo Bonuccit dhe Juan Cuadrados.
Në momentin e kartonit të kuq nga ana e arbitrit Fabbri, anësori kolumbian ishte shumë i nervozuar me kryesorin e takimit, si rrjedhojë edhe e një ndërhyrjeje shumë të rëndë që ai kishte pësuar në pjesën e parë, por që “bilbili” nga Ravena la lejimin e lojës, edhe pse pamjet e përsëritura treguan se ndërhyrja në kavilje ishte shumë e ashpër.
Gjithsesi, ajo që bëri jehonë në median italiane është fakti se mes Bonuccit dhe Cuadrados duket se gjakrat kanë kohë që janë nxehur, sepse në momentin që amerikano-jugori po protestonte, kapiteni i vuri dorën në gojë, por aty erdhi edhe një reagim shumë i ashpër, një goditje nga ana e Cuadrados ndaj mbrojtësit, që më pas u nda nga lojtarët e tjerë.
Një skenë e tillë duket e përsëritur, duke qenë se edhe në tunel, pas ndeshjes së parë të fazës së grupeve, që Juventusi barazoi 2-2 ndaj Atletikos së Madridit, në Champions, kishte pasur shkëndija mes Bonuccit dhe Cuadrados dhe pa dyshim që ky tension i përsëritur lë një enigmë të madhe për t’u mësuar më konkretisht.