Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se gjatë ditës së nesërme do të vendoset një kufizim i përkohshëm në qarkullimin e automjeteve të rënda që transportojnë mallra, me masë totale mbi 20 tonë. Vendimi është marrë në bazë të parashikimeve zyrtare për temperaturat e larta.
“Në Autoudhë, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32°C ose më shumë. Në rrugët nacionale dhe rajonale dhe lidhëse, qarkullimi lejohet pa kufizime”, thuhet në njoftimin e ministrisë
MIT ka sqaruar se kjo masë nuk zbatohet për automjetet e Policisë, institucioneve të sigurisë, shërbimeve të emergjencës dhe sektorit shëndetësor.
Në fund, ministria u ka bërë thirrje kompanive transportuese dhe drejtuesve të automjeteve që të respektojnë orarin e kufizimit dhe të organizojnë lëvizjen e tyre në përputhje me këtë vendim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!