Banorët e rrugës “Bedri Berisha” në lagjes “Mati 1” në Prishtinë kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike sonte që nga ora 19:30, shkruan Gazeta Sinjali.
Një banore e kësaj lagjeje tha se KEDS-i nuk i ka njoftuar paraprakisht dhe se Qendra e Thirrjeve për Konsumatorë në këtë kompani nuk u është përgjigjur thirrjeve të banorëve.
Ajo thotë se për shkak se sistemi i “Termokosit” nuk është i instaluar në këtë pjesë të kryeqytetit, burimi i vetëm i ngrohjes për ta është energjia elektrike, andaj kjo ndërprerje po ndikon edhe në shëndetin e tyre.
“Kjo nuk është normale. KEDS-i e ndërpren rrymën pa na njoftu paraprakisht, kur e thirrim nuk përgjigjen. Ne nuk kemi ‘Termokos”, ngrohjen e kemi me rrymë. Nuk e dimë se si do ia bëjmë sonte, kur temperaturat janë -7° Celsius”, tha ajo për Gazetën Sinjali.
Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të KEDS-it për këtë rast, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje./Gazeta Sinjali/